Jasharaj demanton dhe kritikon KMDLNJ’në: Ja pse e lëshuam takimin me MASHT’in

Jasharaj demanton dhe kritikon KMDLNJ’në: Ja pse e lëshuam takimin me MASHT’in

Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë sot lëshoi në gjysmë takimin që po mbante me MASHT’in, lidhur me vendimin e kompensimit të orëve të humbura mësimore gjatë grevës. KMDLNJ doli me një komunikatë se SBASHK u largua nga salla veç pse kreut të tyre iu krahasua paga me atë të një drejtori komunal. Kryetari i sindikatës së fjalë, Rrahman Jasharaj në një intervistë për Periskopin ka mohuar diçka të tillë, duke  thënë se gjatë mbledhjes nuk shihej ndonjë disponim për arritjen e një marrëveshje mes palëve.

Ai gjatë kësaj interviste tregon se nuk do të lëkunden nga qëndrimi i tyre. Ndërsa ka kritikuar KMDLNJ’në që të mbrojë të gjitha kategoritë në mënyrë të barabartë.

Jasharaj po ashtu ka paralajmëruar greva tjera në rast të ndonjë presioni. E për vendimin e Gjykatës, ka thënë se do ta pranojnë sido të që të jetë.

Periskopi: Zotëri Jasharaj, pse SBASHK’u  e la në gjysmë takimin e sotëm me MASHT’in lidhur me zëvendësimin e orëve të humbura mësimore gjatë grevës?

Rrahman Jasharaj: Jo, ne e lëshuam takimin, pasi takimi nuk solli diçka të re. Ministri insistonte që të zëvendësohen të gjitha orët e humbura në grevë. Dikur ka thënë se do ta tërheqë vendimin dhe do të mundohet që bashkërisht të gjejë një solucion apo version tjetër. Ai insistoi në këtë. Disa nga drejtoritë e arsimit, sidomos ky i Obiliqt filloi edhe ta shpallë tani grevën se gjoja paska qenë jo ligjore. Të cilën ne e kundërshtuam. Dhe pastaj edhe përfaqësuesve tonë iu shikohej shumë minutazha e diskutimit ndërsa të tjerëve jo. Dhe duke e parë këtë atmosferë, duke e parë se ministri nuk lodhej shumë për qëndrimin e SBASH’ut, qëndrim ky i bërë publik… Dhe ne kemi biseduar edhe me zv/ministrin Geci dhe kryesinë e drejtorëve. Duke e parë që ata nuk duan të dëgjojnë për propozimin tonë, që ka të bëjë me vendimin e Këshillit Drejtues, ne do t’i ftojmë mësimdhënësit e Kosovës që në shenjë të kolegëve tanë, që punojnë me klasën e pestë, me pedagogë dhe psikologë dhe punëtorët e administratës që Parlamenti i Kosovës, ashtu siç ditën të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme për orët, të thirret dhe të votohet Ligji. Të barazohen koeficientët e këtyre,  të kolegëve që punojnë në shkollat e mesme të ulta, dhe ne do të bëjmë ç’mos me mësimdhënësit ta zgjasim vitin shkollor për një javë. Kjo gjë nuk u la hapësirë të diskutohet.

Periskopi: KMDLNJ doli me një reagim se arsyeja e largimit tuaj nga takimi ishte krahasimi i pagës së një drejtori me atë tuajën. Cila është e vërteta?

Rrahman Jasharaj: Ministri ishte kategorik që duhet të zëvendësohen të gjitha orët dhe ne e pamë që asnjë diskutim nuk do të ndryshonte që do të ishte i tepërt dhe për të mos krijuar tensione shtesë në atë mbledhje, ne e lëshuam takimin. Jo pse dikush tha diçka për mua, apo për dikë tjetër. Por duke e parë se qemë të ftuar kot sepse ministri tani po insiston bashkë me drejtorët që të mos nxjerrin asnjë vendim tjetër, sepse vendimi që e kanë nxjerrë dhe ne e kundërshtojmë me të drejtë… atij edhe i ka humbur vlera sepse aty është thënë pesë të shtuna, pushimi pranveror  dhe pesë ditë në fund të vitit. Këto të shtuna dhe pushimi pranveror kanë shkuar, dhe unë po them që ministri dhe një pjesë e vogël e drejtorëve nuk ishin të prirë që të bashkëbisedojnë dhe të punohet ashtu siç na kanë premtuar se do t’i bëjmë forcat bashkë, në mënyrë që të mblidhen nënshkrimet e duhura dhe të bëhet ky korrigjimi i koeficientëve për kolegët tanë.

Periskopi: KMDLNJ, si ndërmjetësuese e takimit kërkoi ndryshimin e Ligjit për Grevat. Si e shihni ju?

Rrahman Jasharaj: E kritikuam pak zotëri Behgjetin sepse ai është për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Të kësaj Kosove jemi edhe ne mësimdhënësit dhe po them që kërkesa të tilla ka pasur edhe përpara, që të ndryshohet Ligji për Grevat. Por do të duhej të ishte simbol i mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ai na tha që gjithmonë kam qenë për të drejtën e sindikalistëve për grevë. Por ja, tash duhet bërë diçka edhe për të drejten e fëmijve. Ne nuk e cënojmë të drejtën e fëmijve për shkollim, ngase nga e hëna, edhe të premten vazhdimisht, në javën e punës mësimdhënësit tanë janë me fëmijët. Por, ne nuk po pranojmë kompensimin e orëve sepse nuk është obligim ligjor, dhe po të pranonim sikurse kanë pranuar paraardhësit e mi, atëherë vlera e grevës do të zbehej shumë, sepse njerëzit do të pyesinin: Pse të bëjëm grevë, kur patjetër do të duhej të zëvendësoheshin orët e humbura në grevë. Institucionet po t’i mësonim kështu, ata do të na linin me javë në grevë duke thënë se hajt se këta lodhen e pastaj duhet me i zëvendësu orët. Po them njëherë e mirë duhet ta mbyllim këtë praktikëm e kompensimit të orëve dhe kam thënë, më mirë është pak të dëmtohet ky vit shkollor sesa të kemi vazhdimisht greva e dëmtime edhe në vitet e ardhshme shkollore.

Periskopi: Zotëri Jasharaj, as sot nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Çka do të ndodh tutje?

Rrahman Jasharaj: Unë jam i obliguar bashkë me kryesinë që ta zbatojmë me përpikmëri vendimin e Këshillit drejtues dhe të kryetarëve të niveleeve komunale. Vendimi është i qartë dhe publik. Ne kemi thënë: Le t’i bëjmë forcat bashkë të gjithë dh të bisedojmë me deputetët. Ministri e ka më të lehtë se është nga Nisma dhe deputetët e partisë tij janë në parlament. Me t’i mbledhin nënshkrimet, le të ngritet çështja dhe deputetët le të votojnë që të bëhet ky korrigjim, i përmirësimit të koeficioentëve dhe ne do të angazhohemi dhe e kemi lejen edhe të kolegëve tanë mësimdhënës që ta zgjasim vitin shkollor për një javë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë nuk ka kompensim të orëve.

Periskopi: A do të ketë greva tjera gjatë këtij viti?

Rrahman Jasharaj: Ne grevat i kemi paralajmëruar nëse në komunat tona mund të ketë presione të dukshme të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt tek mësimdhënësit. Kërcënime e të tjera.. Ne do të shpallnim grevë. Deri tani, nuk kemi pasë presione të tilla. Kemi pasë presione që duhet të shkoni në orët shtesë… Mirëpo nëse presioni përshkallëzohet dhe mirret edhe ndonjë masë eventuale ndaj kolegëve tanë, atëherë ne do të shpallim grevë dhe për këto do t’i njoftojmë edhe Komitetin e Sindikatave të Evropës, por edhe Komitetin e Sindikatave Botërore, ku jemi edhe anëtarë.

Periskopi: Çka prisni prej vendimit të Gjykatës Themelore lidhur me padinë që ia keni bërë MASHT’it për vendimin rreth zëvendësimit të orëve të humbura?

Rrahman Jasharaj: Gjykata ende nuk e ka shpallë vendimin. Por duhet të ndodh sa më shpejt. Të mbahet seanca dhe të sjellet verdikti. Ne e kemi thënë publikisht dhe unë po  e them që cili do vendim që është i Gjykatës, ne do ta respektojmë. Por në publik do të themi që nuk është e drejtë, por ja që Gjykata ka vendosur dhe ne do të veprojmë sipas atij vendimi.

Intervistoi: Kaltërina Misini

 

Shpërndaje në: