Jasharaj sërish: Grevë nëse s’realizohen kërkesat e SBASHK-ut

Jasharaj sërish: Grevë nëse s’realizohen kërkesat e SBASHK-ut

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës kanë bërë të ditur se protesta e paralajmëruar që të mbahej sot për mosmiratimin e Ligjit të Pagave, nuk është thirrur nga ta.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj për Klankosova.tv ka thënë se paralajmërimi për këtë protestë mund të jetë bërë nga dikush për qëllime të caktuara.

“Kjo protestë nuk është thirrur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, këtë mund ta ketë bërë dikush tjetër, për qëllime të caktuara. Ne për momentin nuk do të protestojmë, sepse tani për tani kemi vendosur që t’i pezullojmë veprimet sindikaliste”, u shpreh Jasharaj.

Ai tregoi se vendimin për pezullimin e përkohshëm të veprimeve sindikaliste pas premtimeve se ligji i punës është duke u punuar, njofton Klankosova.tv.

“Për momentin janë pezulluar veprimet sindikaliste. Ndodhi që u takuam me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe morëm informacione që Ligji i Pagave është duke u punuar dhe ai tha se u duhet edhe pak kohë”, tha Jasharaj.

SBASHK dy ditë më parë, bëri të ditur se e mbështet vendimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, për t’i dhënë kohë Qeverisë që të punojë për Ligjin e Pagave.

“Në takimin me kryetarët e nivelit sindikal komunal dhe të Universiteteve u vlerësua se është arritur të realizohet kërkesa e SBASHK-ut për nisje të dialogut me Qeverinë dhe kërkesa që të dihet lidhur me fatin e ligjit të pagave, dhe me vendim unanim u përkrahen vendimet e BSPK-së për angazhim dhe për t’i dhënë kohë Qeverisë që ta punojë ashtu si duhet e pa defekte versionin e parë të Ligjit të pagave dhe pas kësaj në kohën më të shkurtër të mundshme, e se largu në fillim të marsit të nisin takimet me sindikatat dhe pas kësaj deri në fund të muajit mars të përgatitet versioni final e të dërgohet në Qeveri për votim dhe të vazhdohet me proceduarat parlamentare”, u tha nga SBASHK-u.

Kryesindikalisti i arsimit tha se në takim me BSPK-në janë marrë vesh që t’i japin kohë Qeverisë, por shtoi se grevat e protestat nuk përjashtohen nëse BSPK-ja nuk angazhohet.

“Ne jemi marrë vesh për angazhimet në çështjet e përbashkëta, por nëse Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk angazhohet në këtë drejtim, atëherë SBASHK-u nuk i përjashton opsionet e grevave dhe protestave”, tha Jasharaj.

Ndryshe, SBASHK-u ka bërë të ditur se në kohën më të shkurtër të mundshme, në fillim të marsit të nisin takimet me sindikatat dhe deri në fund të muajit mars të përgatitet versioni final e të dërgohet në Qeveri për votim dhe të vazhdohet me proceduarat parlamentare

Shpërndaje në: