JAVA: A do të ketë guxim kjo Qeveri, të merret me listën e veteranëve?

JAVA: A do të ketë guxim kjo Qeveri, të merret me listën e veteranëve?

Kryeministri Albin Kurti, kur po bënte fushatë zgjedhore, u bë viral me deklaratën për kthimin e prokurorit Elez Blakaj në Kosovë, një alegori përmes të cilës, nënkuptonte se duheshin prokurorë të guximshëm për të marrë vendime të guximshme? “Vendimi i guximshëm” i prokurorit Blakaj, ishte hetimi i asaj që quhet ‘lista e fryrë e veteranëve’. Prokurori Blakaj u bë i njohur se e nisi e më pas nuk e bitisi këtë punë. A do të ketë guximin kjo Qeveri të merret me këtë listë? Pse tri shkronjat ‘UÇK’ dominuan debatin e javës në Kosovë?  

Kryefjala e javës: VETERANËT

Java nisi me mesazhet e disa udhëheqësve politikë në Kosovë, për Ditën e Çlirimit të vendit, ku anashkaloheshin këto tri shkronja: UÇK, e për të cilat, eksizton një konsensus kombëtar (pse jo: ekziston edhe historia) që janë tri shkronjat më emblematike në 100 e më shumë vjetët e fundit, ngjallën reagime.

Ministrja e jashtme, Donika Gërvalla në ditën e çlirimit të Kosovës, shkroi diçka ku përmendi NATO-n dhe shkarazi luftën tonë për liri, por jo edhe emrin UÇK.

Në sy ra edhe mesazhi i ministrit të brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili në shënimin e ditës së njëjtë (të çlirimit), një paragraf ia kushtoi luftës çlirimtare e tre a katër të tjerë rëndësisë së partisë Vetëvendosje.

Ndaj të dyja këtyre, pati plot ironi e idhnim që vëreheshin – sidomos në matësin numër një të reagimeve në Kosovë, në Facebook.

Çështja e veteranëve të UÇK-së, do të ri aktualizohej më pas, në një seancë të Kuvendit të Kosovës, ku kaloi Ligji për pagën minimale – që përjashton veteranët. Kjo ndodhi me votat e deputetëve të Vetëvendosjes dhe Listës Serbe.

Veteranët dolën në protestë.

Ndër më të mëdhatë ishte e djeshmja (e enjte), ku një numër i madh i ish-luftëtareve të UÇK-së, prej orës 10:00 deri në orët e vona të pasdites, qëndruan para Kuvendit të Kosovës  – ku me një seri aktivitetesh: fjalime, performanca kundër deputetëve që votuan Ligjin që këta kundërshtojnë.

Pas protestës së djeshme dhe ndërprerjes së seancës së Kuvendit, ku Kurti u dakordua që të takonte veteranët sot (e premte), edhe i takoi, por, përsëri nuk ka zgjidhje.

Cilat janë zgjidhjet, që përmenden si mundësi?

Janë dy dhe s’duken aspak të lehta:

-pastrimi i listës së veteranëve

-përfshirja në pagën minimale

Analisti Dukagjin Gorani, në emisionin e debatit të Pressingut, mbrëmë e parashikoi këtë situatë – pa zgjidhje.

“Cila është ajo qeveri që ka me e bë atë send. Çka mendon kjo qeveri që ka me e bë atë send, unë e di që s’guxon, sepse siç thonë, ka me u koritë.  Nuk ka me qenë, sepse duhet me pasë një dozë të pamëshirësisë dhe shoqnia që e pranon një ndërhyrje të tillë”, tha Gorani.

“Personalisht, nuk mendoj se do të ketë zgjidhje për ta.  Ajo që ish deshtë me ia kriju një përshtypje prej asaj që e sheh është një pikëllim. Qysh sot mundem me qenë i bindur që do të shpërdoret edhe në periudhën që po vjen”, tha Gorani.

‘Dëbimi’ i Sunny Hill nga Kosova

Mesi i javës që po lëmë pas, kulmoi me lajmin tepër të keq: Sunny Hill nuk do të mbahet në Kosovë.

Festivali u largua nga Prishtina, të paktën për këtë vit (dhe nuk kemi garancion që kthehet vitin tjetër), shkaku i zvarritjes së procedurave për një tokë 17 hektarëshe.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media dje akuzoi Qeverinë për arbitraritet të treguar karshi pushtetit lokal.

Kështu, në fundjavë po kapërcejmë me një lëmsh punësh të pazgjidhura e një lëmsh tjetër që lanë shije të keqe.

Çështja e Sunny Hill është kryer (mjaft keq). Kjo me veteranët, vazhdon.../Periskopi/

 

 

Shpërndaje në: