Java që e futi Kosovën në udhëkryq: Prej hartës së Lajçakut, e te hileja e Serbisë dhe letra e Netanyahut
Java e kaluar, e që ishte edhe java e fundit e muajit shkurt, prodhoi një numër shumë të madh ngjarjesh të rëndësishme politike – nisur nga dilema për Kurtin mes Izraelit dhe Turqisë, aksioni i Policisë, rrahja e një gazetari, hileja e Serbisë me votat e boshnjakëve dhe së fundi me hartën ‘jo-neutrale’ të Mirosllav Lajçakut.
Muaji shkurt nuk ishte në fakt edhe aq i shkurtër për Kosovën. Përveç fushatës elektorale, vetë zgjedhjeve, situatës me pandeminë – kishim edhe një numër të madh zhvillimesh tjera që meritojnë trajtim.
Java e fundit e këtij muaji ishte veçanërisht e rëndësishme, shkruan Periskopi.
Ajo nisi me një aksion në Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë [AZhB] ku u arrestuan dymbëdhjetë persona, shumica prej të cilëve zyrtarë të saj. Aty u konfiskuan edhe dy valixhe që përmbanin rreth 400 mijë euro.
Prokuroria pretendon se ka dëshmi të forta për disa prej të akuzuarve për ryshfet dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Nuk dihet nëse ky aksion ka përfunduar.
E derisa shteti po bënte këto lëvizje në drejtim të sundimit të ligjit, u ekspozua një hile që Serbia e kishte bërë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Kandidatja boshnjake Adrijana Hoxhiq del se ka marrë vota të shumta në komunat me shumicë serbe ku nuk jeton asnjë boshnjak – duke dalë më e votuara mes këtij komuniteti.
Liderët shqiptarë u zunë në gjumë. Albin Kurti, kryetari i partisë më të votuar shqiptare, u shpreh vetëm në fund të javës në lidhje me këtë zhvillim, duke thënë se do të shihte mundësitë që kjo të sfidohej legalisht.
Në ndërkohë, ishte emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian [BE] për dialogun, Mirosllav Lajçak, që në një paraqitje ekspozoi një hartë të tij të Evropës Juglindore ku Kosova shihej të ishte pjesë e Republikës së Serbisë. Një gjë e tillë u protestua nga akterët opozitarë në vend, por jo edhe nga pushteti i ri në ardhje që kishte qenë shumë kritik ndaj emisarit të posaçëm të ShBA-ve për dialogun, z.Richard Grenell.
Dhe, ajo që pritej të ndodhte në lidhje me situatën pandemike, edhe ndodhi. Pas disa javësh/muajsh që shkuan mirë – dhe që u shënjuan me rritje të numrit të testimeve, por jo edhe numrit të rasteve – përsëri këto të fundit u rritën. Nuk dihet sa kontribuoi drejt përkeqësimit të situatës fushata elektorale nga të gjitha partitë që nuk respektuan masat kundër përhapjes së Covid-19.
Tash e disa ditë, numri i të infektuarve për një ditë nuk ka rënë poshtë 400-shit duke prodhuar frikë për një shtrëngim të mëtejmë masash.
Gjuha e shtuar e urrejtjes dhe mos-durimit në vend gjatë dy viteve të fundit ndërkohë, e prodhoi edhe viktimën e radhës. Ai ishte gazetari Visar Duriqi i cili u sulmua tinëzisht nga tre persona të panjohur pas një debati televiziv.
Ky akt i shëmtuar u dënua edhe nga politikanët që i kishin shërbyer promovimit të kësaj gjuhe të mos-durimit përgjatë kësaj kohe, mes tyre edhe Albin Kurti.
Por, pjesa më e madhe e qytetarëve përsëri e lavdëruan aktin qyqar duke sulmuar viktimën dhe ledhatuar agresorin në mediat sociale.
E Kurti, duket se sapo të marrë pushtetin do të duhet të lëndojë marrëdhëniet e Kosovës në raportet ndërkombëtare. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i drejtoi atij një letër duke i thënë që e priste në Jerusalem në kuadër të inaugurimit të ambasadës së Kosovës. Por, njëkohshëm edhe Rexhep Taip Erdogan iu drejtua atij duke paralajmëruar qortim në rast se Kosova e hapte ambasadën në kryeqytetin e kontestuar izraelit.
Në këtë rast, Kurti nuk është thjesht mes Izraelit dhe Turqisë, por edhe mes ShBA-ve dhe disa shteteve anëtare të BE-së, dhe disa shteteve islamike.
Lëvizja e tij mund të prodhojë dëme të pariparueshme për shtetësinë e vendit. /Periskopi