Javë e zezë për Kosovën: Aktakuza speciale, status quo-ja, Eliot Engeli

Javë e zezë për Kosovën: Aktakuza speciale, status quo-ja, Eliot Engeli

Kjo ishte një ndër javët më dramatike në historinë e pasluftës në Kosovë, një javë që pa mëdyshje mund të përcaktojë drejtimin e vendit për vitet dhe dekadat që vijnë. Por, çka ndodhi?

Fati i dy liderëve që do të merrnin pjesë në takimin e Washingtonit më 27 qershor, Aleksandër Vuçiqit dhe Hashim Thaçit, nuk mund të ishte më i ndryshëm.

Të hënën, më 22 qershor, u bë e ditur se zgjedhjet në Serbi ishin fituar bindshëm nga ana e Vuçiqit që ia doli t’i merrte 63 për qind të votave.

Të mërkurën, më 24 qershor,  u publikua një njoftim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ku bëhej e ditur se po paralajmërohej aktakuzë ndaj presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së Kadri Veselit dhe nëntë ish luftëtarëve të tjerë të UÇK-së.

E ashtuquajtura Gjykatë Speciale në këtë formë kishte shkelur edhe procedurat e saj të brendshme duke dhënë emrat e Thaçit e Veselit para se aktakuza të aprovohej si e bazuar nga gjykatësi përkatës.

Specialja u fut aktivisht në një lojë politike duke fyer kësisoj jo vetëm UÇK-në e me këtë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe viktimat (flitej për 100 vrasje) në të cilat thirrej. Edhe këto viktima u bënë pjesë e kësaj loje politike.

Thaçi në cilësinë e presidentit ishte nisur për në Washington D.C. për të përfaqësuar Kosovën në një takim të një rëndësie tepër të madhe me Serbinë. Në atë takim do të merrte pjesë edhe Avdullah Hoti, kryeministër.

Me të marrë lajmin në fjalë, z.Thaçi anuloi pjesëmarrjen e tij në takim dhe u kthye në Kosovë. Duke parë rëndesën e çështjes mbi vetë shtetin e Kosovës, takimin e anuloi edhe kryeministri Hoti.

Opinioni publik në vend kishte reagime të ndryshme mbi lajmin por në përgjithësi ishte më i unifikuar se asnjëherë në mbrojtje të luftës dhe lirisë së vendit. Madje edhe kundërshtarët politikë të Thaçit shprehën dhimbjen për një aktakuzë të tillë që e cilësuan politike – megjithëse nuk munguan edhe zërat e gëzuar që i mëshonin politikisht.

Por, në një moment tepër të rëndësishëm për vendin, tashmë Serbia mori një avantazh domethënës në luftën diplomatike. Pavarësisht “prezumimit të pafajësisë”, ky vend fqinj do ta përdorë këtë aktakuzë në fushatën agresive për të revokuar njohjet për Pavarësinë e Kosovës – duke provuar që të zgjaste sa më shumë “status quo”-në. Duket se një pjesë e madhe e shqiptarëve në Kosovë asnjëherë nuk e kanë kuptuar seriozitetin e dashurisë serbe për vendin tonë.

Ndërkohë, një tjetër përplasje politike mes LDK-së dhe Vjosa Osmanit mori vëmendjen publike. Osmani i kishte kërkuar raport kryesisë së partisë së saj për të parë se kush kishte votuar pro dhe kush kishte votuar kundër shkarkimit nga pozita e nënkryetares dhe e anëtares së kryesisë. Kjo u mohua nga i pari i LDK-së, Isë Mustafa, që tha se Osmani duhej t’ia kishte kërkuar atë raport vetë atij. Se ku dhe si do të mbarojë kjo sagë e gjatë e patetike Osmani-LDK mbetet të shihet.

Një zhvillim tjetër i keq për shqiptarët dhe Kosovën ndodhi më 23 qershori. Kongresmeni Eliot Engel e humbi ulësen e tij në Kongres pasi që pësoi thellë në zgjedhjet e distriktit të tij nga sfiduesi Jamaal Bowman. Kjo bëri që pas 31 vitesh karrierë në Kongres duke qenë zëri më i fortë për Kosovën, Engel të largohet i dëshpëruar nga politika amerikane.

Ndër zhvillimet e tjera të rëndësishme është edhe seanca e Kuvendit të Kosovës ku pritej të votoheshin pesë marrëveshje ndërkombëtare, por që nuk ndodhi ashtu. Vetëvendosje dhe PDK, partitë opozitare, i kundërshtuan këto marrëveshje ani që nuk kishin asnjë argument kundër tyre.

Partia opozitare PDK po ndjek një kurs tjetër opozitar pasi gjatë kësaj jave e paditi gazetaren Jeta Xharra për shpifje dhe fyerje. /Periskopi

Shpërndaje në: