Jemeni dhe Houthit pajtohen të shkëmbejnë mbi 1 mijë të burgosur

Jemeni dhe Houthit pajtohen të shkëmbejnë mbi 1 mijë të burgosur

Qeveria e Jemenit dhe rebelët Houthi, të cilët përkrahen nga Irani, janë marrë vesh që t’i shkëmbejnë mbi 1,000 të burgosur, sipas burimeve qeveritare.

Përfaqësues të dy palëve u takuan në Gjenevë për të diskutuar rreth shkëmbimit të 1,008 të burgosurve, shkruan Anadolu.

Raportohet se në mesin e të burgosurve që do të përfitojnë nga ky shkëmbim do të ketë edhe ushtarë të Arabisë Saudite, por nuk është dhënë ndonjë informatë për numrin e tyre.

Jemeni është shkatërruar nga një konflikt që doli nga kontrolli në mars të vitit 2015, kur rebelët Houthi e morën nën kontroll kryeqytetin Sanaa dhe e detyruan presidentin Abdrabbuh Mansur Hadi të largohet nga vendi.

Qeveria e Jemenit në këtë konflikt po përkrahet nga një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite, ndërsa rebelët përkrahen nga Irani.

Lëvizja Houthi cilësohet si organizatë terroriste nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Malajzia.

Shpërndaje në: