”Jemi t’gashtëm për zgjedhje të reja, Limaj ndërroi qëndrim ndaj Kurtit, s’kemi votë për Haxhiun” – krejt çka tha Lahi Brahimaj

”Jemi t’gashtëm për zgjedhje të reja, Limaj ndërroi qëndrim ndaj Kurtit, s’kemi votë për Haxhiun” – krejt çka tha Lahi Brahimaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj, ka qenë i ftuari i radhës në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, i cili transmetohet në Periskop dhe T7.

Brahimaj ka folur për ngjarjet politike në vend sic është ai i konstituimit të Kuvendit.

Deputeti i AAK-së u shpreh se janë të gatshëm për zgjedhje të reja, kurdo që ato vendosen, si shkak i bllokimit të Kuvendit nga partia e parë.

“Që ditën e parë e ka thënë Daut Haradinaj që ka thënë se zgjedhjet do të jenë zgjidhje, kështu që edhe Aleanca është e gatshme për zgjedhje të parakohëshme, të jashtëzakonshme qysh do qoftë”, ka thënë ai.

Brahimaj është pyetur edhe për mundësin e shkuarjes në zgjedhje me ndonjë parti tjetër apo koalicion, por sipas gjasave, ai ka thënë se kjo nuk do të ndodh.

“Sigurisht se këtë temë duhet të biseduar në nivel strukturave, jo vetëm të flas unë krye në vete, kjo temë ende nuk është diskutuar po të gatshëm jemi. Sigurisht para shkuarjes në zgjedhje bëjmë një analizë, por Aleanca është e gatshme për zgjedhje dhe me gjas do të shkojë si e vetme”, ka thënë Brahimaj.

Lahi Brahimaj në këtë intervistë ka folur edhe për hatërmbetjen e AAK-së ndaj NISMA-së së Fatmir Limajt, që garuan bashkë në zgjedhjet e kaluara nacionale.

Brahimaj ka theksuar se Limaj me nguti doli dhe tha se është i gatshëm të flas me këdo, përkundër që fushata zgjedhore ishte tërësisht qëllimi i rrëzimit të Kurtit dhe jo bashkimi me të.

“Tu e pa një nguti dhe njëfar paralajmrimi, nuk është hatri dikur të shkonte të negocionte me PDK-në ose LDK-në, por gjatë gjithë fushatës ne kërkuam votë për largimin e të keqes, për largimin e zotit Kurti dhe nëse e shihni fjalorin e zotit Limaj gjatë fushatës, ka qenë edhe më i ashpër se i zotit Haradinaj ndaj Kurtit, dhe pa ndonjë paralajmrim e dëgjon në një medium duke thënë se ‘jam i gatshëm të ulem’. Sikur të shkonte të bisedonte me PDK-në, LDK-në për formimin e Qeverisë së opozitës askush nuk do të idhnohej dhe nuk do të kishte hatërmbetje. Por, ai ishte një ndërrim 100 për qind i pozicionit brenda natës dhe të gjithë e keni parë gjuhën e zotit Kurti ndaj opozitës dhe ndaj votuesve. Një lider që ka qenë fitues i zgjedhjeve paraprake dhe tani mori një shumicë në pozitën e kryeministrit  i drejtohet gjithë opozitës me atë fjalor dhe qysh ditën e parë i afrohesh në shërbim është për tu çuditur”, ka thënë Brahimaj.

Brahimaj: Limaj ishte shumë i ashpër me Kurtin në fushatë, mirëpo ndërroi qëndrim 100%

Deputeti i AAK-së, ka thënë se do ta përkrah një qeveri të opozitës në çfardo formati, vetëm të largohet Kurti.

“Unë besoj dhe do e përkrahi një qeveri të opozitës në çfardo formati, vetëm e vetëm që Kurti të shkojë në opozitë dhe të punohet me SHBA-të dhe BE-në”, ka thënë ai.

Ndër të tjerash, Brahimaj tha se kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj e ka kuptuar se Albin Kurti nuk e mban fjalën.

“Është e vërtetë që e dëgjova, por zoti Limaj, në të gjitha seancat e mëhershme, ka folur pak më ndryshe. Me gjasë, kjo që tha dje lidhet me faktin që takimi i fundit nuk përfundoi mirë dhe siç duket, ai e ka kuptuar që Albin Kurti nuk po e mban fjalën”.

Ai theksoi se kërkesa për një emër konsensual është bërë qartë edhe nga Ramush Haradinaj dhe pjesa tjetër e opozitës.

“Nëse kryeministri në detyrë nuk i ka 61 vota, duhet të negociojë me partitë e tjera dhe të gjejë një figurë më bashkuese, jo përçarëse”, tha ai.

Sipas tij, megjithëse Kushtetuta ia njeh të drejtën partisë së parë për të propozuar Kryetarin e Kuvendit, kërkesa është që emri të mos jetë vetëm në shërbim të një partie, por të ketë një mbështetje më të gjerë.

“Askush nuk po kërkon që emri të vijë nga ndonjë parti tjetër. Po kërkojmë që kandidati të jetë i pranueshëm për më shumë se një grupim politik, në mënyrë që përgjegjësia për vonesat të mos bjerë mbi opozitën, por mbi partinë e parë”, tha ai.

Duke iu referuar zhvillimeve të kaluara politike, ai kujtoi se në asnjë palë zgjedhje Vetëvendosje nuk e ka votuar kandidatin e shumicës për Kryetar Kuvendi.

“Kur u zgjodh Kadri Veseli, Albin Kurti doli në foltore dhe i tha: ‘Çu Kadri matu, nuk i ke numrat.’ Sot, është e njëjta situatë”, ka thënë Brahimaj.

Sipas tij, është detyrë e partisë fituese të sigurojë mbështetjen e duhur për kandidatin e saj.

“Nëse nuk i ka 61 vota, duhet të negociojë dhe të propozojë një emër kompromisi. Si alternativë, zoti Haradinaj ka ofruar dy emra që mund të diskutohen”, tha ai.

Vetëvendosje nuk po dëshiron t’i krijojë institucionet, sepse nuk i ka numrat, por as nuk po negocion për të gjetur një emër tjetër.

Sipas tij, AAK-ja i ka propozuar dy emra që mund t’i votojë, por mund të ketë edhe ndonjë emër tjetër brenda Vetëvendosjes që është i respektuar dhe mund t’i marrë 61 vota.

“Ne nuk po themi që na takon posti i Kryetarit të Kuvendit, por nëse u duhen votat, ata duhet të bisedojnë që t’i sigurojnë ato. Kryetari Haradinaj dhe ne kemi dhënë një opsion si emër kompromisi, duke propozuar dy gra të ndershme, meqenëse ata e kanë propozuar një grua. Ne kemi propozuar Shqipe Selimin dhe Saranda Bogujevcin për kryetare të Kuvendit. Për ne, figura kompromisi do të ishin këta dy emra. Megjithatë, nëse diskutohet, mund të jetë edhe ndonjë emër tjetër, por jo një grua e cila, nëse e shihni, për katër vjet nuk ka lënë gjë pa thënë kundër secilës figurë politike të opozitës,” ka thënë ai.

Brahimaj ka deklaruar se zvarritja që po bën Vetëvendosje është për shkak se, sapo të zgjedhin kryetarin e Kuvendit, nuk i kanë votat për Qeveri.

“Nuk janë të interesuar t’i sigurojnë numrat, shihet që nuk kanë provuar të bisedojnë me askënd. Në njërën nga seancat, mund të gaboj, vetë Albulena, që ishte kandidate, nuk ishte prezente për ta votuar veten. Do të thotë, në secilën seancë ka munguar ndonjë deputet i Vetëvendosjes. Sigurisht që ata e dinë që nuk i kanë numrat për Qeveri dhe po bëjnë një test me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Në fakt, në momentin që i sigurojnë 61 vota për kryetar Kuvendi, llogarisin se i kanë edhe për kryeministrin,” ka thënë deputeti i AAK-së.

Shpërndaje në: