Jo veç pleqtë e të sëmurët: Këta njerëz janë më të rrezikuarit nga koronavirusi

Jo veç pleqtë e të sëmurët: Këta njerëz janë më të rrezikuarit nga koronavirusi

Li Wenliang, doktori në Kinë që rriti vetëdijen për koronavirusin e ri, ka vdekur nga virusi në muajin shkurt në moshën 34 vjeçare. Vdekja e tij ishte shokuese jo vetëm për shkak të rolit të tij në rritjen e vetëdijes së njerëzve për epdeminë që po zhvillohej por po ashtu – marrë parasysh që të rinjtë nuk kishin rrezik të lartë që të vdisnin prej Covid-19shit – edhe për shkak të moshës së tij të re.

A është e mundshme që Dr.Li-ja vdiq për shkak se si doktor kaloi shumë kohë me pacientët e sëmurë rëndë me koronavirus, aq kohë sa u infektua me një dozë shumë të lartë? Tekembramja, megjithëse ai ishte një prej punëtorëve të parë të rinj shëndetësorë që vdiqën nga ekspozimi, për fat të keq nuk ishte as i fundit.

Rëndësia e dozës virale po shqyrtohet me kujdes të lartë në diskutimet për koronavirusin. Ashtu si me çdo helm tjetër, virusët janë rëndom më të rrezikshëm kur futen në trup në sasi më të mëdha. Ekspozimet e vogla fillestore priren të çojnë në infeksione me simptoma të lehta apo pa simptoma fare, ndërsa dozat e larta të virusit mund të jenë vdekjeprurëse.

Nga perspektiva e politikave, na duhet që të shqyrtojmë se edhe mos-ekspozimi i plotë ndaj koronavirusit mund të jetë i njëjtë. Të futesh në një ndërtesë ku dikur kishte qenë një njeri me koronavirus nuk është aq e rrezikshme sa të rrish pranë një personi të infektuar për një periudhë të gjatë kohe.

Kjo mund të duket e qartë, por shumë njerëz nuk po e bëjnë këtë dallim. Na duhet që të fokusohemi më shumë në parandalimin e infeksioneve të dozës së lartë.

Edhe sasitë e mëdha por edhe sasitë e vogla të virusit mund të replikohen brenda qelizave tona dhe të shkaktojnë sëmundje të rënda te individët e lëndueshëm me imunitet të dobët. Te njerëzit me shëndet të mirë, megjithatë, sistemi imunitar reagon menjëherë sapo e vëren që një virus po rritet përbrenda. Mëkëmbja varet nga ajo se kush e fiton garën: shpërndarja e virusit apo aktiviteti i imunitetit.

Ekspertët e viruseve e dinë se doza virale afekton rëndesën e sëmundjes. Në laboratore, minjtë që marrin doza të vogla të virusit e heqin atë dhe shërohen, ndërsa i njëjti virus në doza të larta i vret. Sensitiviteti i dozës ka qenë i observuar për çdo infeksion të zakontë akut viral që është studiuar në laboratoret e kafshëve, përfshirë koronaviruset.

Njerëzit po ashtu shfaqin ndjeshmëri ndaj dozës virale. Vullnetarët e kanë lejuar veten që të ekspozohen në doza të ulta apo të larta të viruseve të lehta që shkaktojnë ethe e diarre. Ata që merrnin doza të ulta rrallë kanë zhvilluar shenja të dukshme të infeksionit, ndërsa dozat e larta zakonisht kanë çuar në infeksione dhe në simptoma më të rënda.

Do të ishte joetike që me eksperimente të manipulohet voza virale te njerëzit për patogjene aq serioze sa koronaviruset, por ka prova se doza po ashtu ka rëndësi për koronavirusin njerëzor. Gjatë shpërthimit të koronavirusit të SARS-it më 2003 në Hong Kong, për shembull, një pacient infektoi shumë të tjerë që jetonin në të njëjtin kompleks banesor, e që rezultoi në 19 të vdekur. Shpërndarja e infeksionit është menduar se u shkaktua nga thërmija virale në ajër që ishin shpërndarë përgjatë kompleksin banesor nga banesa e pacientit fillestar. Si rrjedhojë e ekspozimit të lartë viral, fqinjtë që jetonin në të njëjtën ndërtesë jo që u infektuan më shumë por po ashtu ishte më e mundshme që të vdisnin. Në të kundërt, fqinjtë e largët, edhe pasi u infektuan, kishin vuajtur më pak.

Infeksionet me dozë të vogël madje edhe mund ta forcojnë imunitetin, duke e mbrojtur ndaj ekspozimeve të dozës së lartë në të ardhmen. Para zbulimit të vaksinave, mjekët shpesh qëllimshëm infektonin individët e shëndetshëm me lëngje të puçrrave të lisë. Infeksionet nga doza e ulët ishin të pakëndshme por mbijetonin, dhe kësisoji parandalonin incidente më të mëdha të sëmundjes kur këta individë më vonë ekspozoheshin ndaj lisë në përmasa të pakontrollueshme.

Pavarësisht evidencës për rëndësinë e dozës virale, shumë prej modeleve epidemologjike që janë përdorur për të informuar politikat gjatë kësaj pandemie janë shpërfillur. Ky është gabim.

Njerëzit duhet të kenë kujdes të shtuar kundër ekspozimeve të dozës së lartë, që është më e mundshme të ndodhin në ndërveprime të afërta personale – të tilla si në takimet nëpër kafene, nëpër bare me shumë njerëz dhe gjatë kohës sa rri në një dhomë me gjyshen – dhe nga prekja e fytyrës tonë pas marrjes së një doze të lartë virusi në duart tona. Ndërveprimet personale janë më të rrezikshme në hapësira të mbyllura dhe në distanca të vogla, me dozën që eskalon me kohën. Ndërveprimet e rastit që nuk shkellin rregullin e distancës dymetërshme mes teje dhe tjetrit, si pagesa që i bën arkëtarit në një qendër tregare, është tjetër tregim.

Por doza ka rëndësi, personeli mjekësor përballet me rrezik ekstrem, pasi që përballen me më të sëmurët, me pacientët që kanë sasi tepër të madhe virusi. Neve na duhet t’i prioritetizojmë masat mbrojtëse për ta.

Për çdokënd tjetër, rëndësia e distancimit shoqëror, vënja e maskës dhe higjiena e mirë është gjë e mirë, pasi që këto praktika e ulin shpërndarjen e infeksionit por po ashtu priren të ulin dozën dhe kështu vdekshmërinë nga infeksionet që ndodhin. Ndërsa parandalimi i shpërndarjes virale është një e mirë shoqërore, shmangia e infeksioneve të dozës së lartë është një imperativ personal, edhe për të rinjtë.

Në të njëjtën kohë, na duhet që të shmangim reagimin irracional e të shtuar ndaj ekspozimeve të dozës së ulët të virusit. Veshjet dhe paketimet e ushqimeve që i janë eskpozuar dikujt me virus duket se paraqesin rrezik të ulët. Njerëzit e shëndetshëm që janë së bashku në një qendër tregtar apo vend pune përjetojnë një rrezik të vogël – për aq kohë sa mbajnë masat e distancimit shoqëror.

Karantinimi i plotë i shoqërisë është hapi më efektiv për të ndaluar virusin, por është i kushtueshëm edhe ekonomikisht por edhe psikologjikisht. Kur shoqëria eventualisht të ri-hapet, masat e reduktimit të rrezikut si mbajtja e hapsësirës personale dhe praktikimi i larjes së duhur të duarve do të jetë esencial në reduktimin e infeksioneve të dozës së lartë. Vendet e rrezikut të lartë për ekspozimet e dozës së lartë, si stadiumet dhe vend-tubimet e mëdha, duhet të mbeten të mbyllura. Shërbimet esenciale e të rrezikshme si transportimi publik duhet të lejohen që të operojnë – por njerëzit duhet të ndjekin masa të sigurisë si mbajtja e maskave, mbajtja e hapësirës sociale dhe kurrë të mos dalin derisa kanë ethe.

Tash është koha për të qëndruar në shtëpi. Por me shpresë se kjo kohë do të jetë e shkurtër. Kur të fillojmë që të dalim nga shtëpia sërish, le ta bëjmë me mençuri, duke e ditur rëndësinë e dozës virale.

Joshua D.Rabinowitz është profesor i kimisë dhe gjenomikës në Princeton, Caroline Bartman është hulumtuese në të njëjtin universitet. Shkrimi është përkthyer nga Periskopi nga The New York Times.

Shpërndaje në: