Ju kthehet rehatia ministrave të LDK-së

Ju kthehet rehatia ministrave të LDK-së

‘Indeksonline’, merr vesh se në mbledhjen e sotme të Kryesisë së kësaj partie nuk është diskutuar fare për mundësinë e ndërrimit të ministrave.

Një burim i LDK-së i ka thënë ‘Indeksonline’, se nuk pritet që të ketë tani për tani ndryshime në nivel të ministrive të cilët i udhëheq partia e Isa Mustafës.

“Nuk ka asgjë të vërtete sa i përket ndryshimit të ministrave të LDK-së. Në mbledhjen e sotme të Kryesisë është diskutuar për zgjedhjet në Drenas dhe për procese tjera, por assesi për ndryshime eventuale në Qeveri.”, ka thënë ky burim për ‘Indeksonline’.

Kësisoj, janë hedhur poshtë zërat për ndërrimin e disa ministrave të LDK-së në qeveri.

“Emrat e përfolur sot në media më shumë i ngjajnë një fontane dëshirash të cilët mund të kenë dalë nga partitë tjera, por jo edhe nga LDK”, ka bërë me dije ky burim.

Poashtu është mohuar qe në mbledhjen e sotme të jetë diskutuar edhe për mundësinë qe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Koalicioni është shumë stabil. Nuk bëhet fjalë për zgjedhje të parakohshme të paktën edhe për së paku një vit”, ka bërë me dije ky burim.

E sa i përket emrave të PDK-së, ky zyrtar i lartë i LDK-së ka thënë në kushte anonimiteti se nuk bëhet fjalë për riformatim të qeverisë në këtë fazë, por më shumë janë plotësim i vendeve boshe në qeveri nga ana e PDK-së.

E në një komunikatë dërguar medieve, nga LDK thuhet se në këtë mbledhje është diskutuar edhe për reformën zgjedhore që lidhet me zgjedhjet në nivel lokal dhe qendror në Kosovë, proces ky i iniciuar së fundi.

Ndërsa gjatë mbledhjes, u diskutua edhe për zgjedhjet në kuadër të Forumit të Gruas dhe Forumit Rinor të LDK-së./Indeksonline/

Shpërndaje në: