Jude Bellingham po përballet me ‘akuza kriminale’ pas komenteve eksplozive për kurdisje të ndeshjes

Jude Bellingham po përballet me ‘akuza kriminale’ pas komenteve eksplozive për kurdisje të ndeshjes

Ylli i Borussia Dortmundit, Jude Bellingham ka qenë subjekt i një ‘ankese kriminale’ të bërë kundër tij pas komenteve eksplozive ndaj gjyqtarit Felix Zwayer pas humbjes së ‘milionerëve’ nga Bayern Munichu, të shtunën, sipas raporteve në Gjermani.

Mesfushori anglez, 18-vjeçar, mezi mbajti frustrimin pas vërshëllimës së fundit në ‘Signal Iduna Park’.

Bellingham mbeti i shokuar nga vendimi për t’i dhuruar skuadrës së Julian Nagelsmannit penallti kontraverse, pasi Mats Hummels u gjykua se preku qëllimisht topin me dorë brenda zonës, transmeton Periskopi.

Me ndeshjen 2-2 kur kishin mbetur edhe 13 minuta lojë, Robert Lewandowski mori përgjegjësinë të gjuante nga 11 metra.

Dhe sulmuesi polak tregoi klasin duke shënuar golin e dytë personal dhe të epërsisë për 3-2 për Bayernin.

Pas ndeshjes, Bellingham tha: ”Për mua, nuk ishte penallti.

”Hummels as që po e shikon topin dhe po lufton për ta marrë.

”E godet atë, nuk mendoj se po e shikonte topin. Mund të shikoni edhe shumë vendime tjera gjatë ndeshjes.

”Ju i jepni gjyqtarit që, e dini, ka pasur probleme me kurdisje ndeshjesh më parë, ndeshjen më të madhe në Gjermani… çka prisni?”

Zwayer ishte pezulluar gjashtë muaj nga Federata Gjermane e Futbollit për përfshirjen e tij në një skandal kurdisjesh më 2005.

Siç raportohet nga gazeta gjermane ‘Bild’, komentet e Bellinghamit nuk u pritën mirë dhe observatori i gjyqtarëve, Marco Hasse ka ngritur një ankesë për ofendime kundër 18-vjeçarit. /Periskopi.com/

 

Shpërndaje në: