K-ja

K-ja kryeministër është në kërkim të ligjit të tij kundër K-së viktimë, atij të njohurit, që mund të jetë secili nga ne, që ka qenë, është dhe do të jetë çdonjëri në mesin tonë
Arben Idrizi
E dimë se shpesh shumë periudha kohore në vende e sisteme të ndryshme politike janë kafkiane, në kuptimin që për ne është i mirëqenë tashmë. Ngjarjet e fundit në vendin tonë, përkatësisht refuzimi i kryeministrit në detyrë, Kurtit, për t’u paraqitur, pas urdhërit të Gjykatës, në prokurori, lakmojnë e mbase edhe meritojnë një përkufizim që tingëllon sikur i paska ikur historisë. Realiteti ynë, rasti ynë, kërkon që vështrimi ynë të ndalet në gjendjen paratotalitare. Aty ku e kemi një K, por nuk është K-ja viktimë në skenë, është një K tjetër.
Këtë herë, te ne, nuk është më K-ja, ai të cilin e vrasin si qenin, në një gropë të një guroreje. Është vetë K-ja që tash është mbi ligjin, tallet me ligjin, përbuz ligjin, mohon ligjin, para pas mbi anash tërthorazi dhe përposh derës. Do të thotë është vetë K-ja ai që e trajton ligjin si qenin, në një vend të shkretë, të vogël, të humbur, gropë guroreje, të pafuqishëm, të varur ditë e natë, anash e para e mbrapa nga të tjerët.
K-ja i parë, viktima, është fatkeq; K-ja i dytë, kryeminsitri, është keqbërës.
K-ja kryemistër dhe K-ja viktimë janë dy ekstreme që nuk puqen.
K-ja kryeministër është ushtrues, bartës, shenjë dhe mishërim i totalitarizmit, banditizmit, arrogancës, moskokëçarjes, poshtërimit, bullizmit. Agresor. I vetëkënanqur me atë që i bën viktimës, ligjit, dhe dyfish i vetëkënaqur me spërkatjen që i bën masës mbështetëse dhe adhuruese. Kjo është një orgazmë fashiste.
K-ja kryeministër është K-ja fanatik fetar që e djeg Bibliotekën me pretendimin se libri i tij personal është libri që përmban të gjitha librat e tjerë, andaj s’duhet të ekzistojnë më.
E vërteta e thjeshtë pra është se K-ja kryeministër është duke vepruar në harmoni me gjendjen e tij shpirtërore dhe mendore, gjendjen e tij identitare: kundër ligjit që nuk është ligji i tij (që do të duhej të ishte i drejtuar ekskluzivisht kundër të tjerëve, nga i cili prapë po ashtu do të jetë i paprekur, i paprekshëm – prekës).
Ky është një përshkrim i rëndomtë i çdo subjekti të prirë kah ideale e ambicie thjesht sunduese, tiranike.
K-ja kryeministër është në kërkim të imponimit të ligjit të tij kundër K-së viktimë, atij të njohurit, që mund të jetë secili nga ne, që ka qenë, është dhe do të jetë çdonjëri në mesin tonë.
Fetishi i tij ndaj uniformës është dëshmuar që nga dita e tij e parë në periudhën e tij aq të lakmuar të regjimit. Uniforma është hallka e parë fundamentale e regjimit. Policia dhe ushtria, tek të cilat e ka mendjen gjithë kohës, rreth të cilave i ka orientuar të gjitha kapitalet e mundshme, në njëfarë mënyre, tashmë janë në shërbimin e tij. Nëse kjo është një e vërtetë e qëndrueshme dhe atëherë e frikshme, lirisht mund të konkludojmë se K-ja kryeministër ia ka dalë mbanë që gjatë mandatit të tij të parë të regjimit të tij ta kompletojë fazën e parë të idealit të tij totalitar.
Gjatë këtij mandati të dytë të mundshëm pra do të shohim nëse K-ja kryeministër do të arrijë të nënshtrojë dhe zhbëjë pushtetet bazike të demokracisë: prokurorinë, gjyqësinë dhe mediat. Lufta e tij e marrosur ndaj tyre, buka e tij e përditshme, të cilit, të vetmit, nuk i është kursyer fare nga Providenca, do të shkojë duke u ashpërsuar edhe më dhe do të jetë më e ashpër në çdo hap, në çdo cep, në çdo fraksion sekonde që ai do të ndihet se po ia del mbanë.
Meqë nuk vuaj, po mirë do të ishte të them: nuk kam dhuntinë as të optimizmit as të pesimizmit, vetvetiu jam i përjashtuar nga gjithë ato mrekulli të parashikimeve. Andaj nuk më mbetet veçse të vras mendjen dhe të pyetem: a do t’ia arrijë K-ja kryeministër të na kthejë në K-në viktimë, apo thjesht do të mbetet pezull në luftën e tij tiranike, (në rastin më fatlum, për K-në viktimë, donkishoteske), tmerrësisht të frikshme dhe të rrezikshme?
Mbase, në ndonjë moment, do të mund të ktheja shikimin kah optimistët racionalë (po nuk m’u përplas për surrati ky lloj oksimoroni): nëse të gjitha përgjigjet janë të mundshme, atëherë po ashtu mund të ketë edhe shpresë, qoftë edhe vetëm një fije shprese.