Kadaj pyet Mentor Shalën: Pse Kolegji AAB përdor RTK-në për promovim si të ishte medium i tij?

Kadaj pyet Mentor Shalën: Pse Kolegji AAB përdor RTK-në për promovim si të ishte medium i tij?

Deputetja e Vetëvendosjes, Donika Kadaj ka parashtruar disa pyetje për drejtorin gjeneral të RTK-së Mentor Shala, lidhur menaxhimin e transmetuesit publik. RTK-ja po akuzohet vazhdimisht nga Lëvizja Vetëvendosje si medium që i është vënë në shërbim total PDK-së dhe pjesërisht LDK-së. Një intervistë të anuluar me kryetarin e VV-së Visar Ymeri nga RTK-ja, VV e ka cilësuar si akt hakmarrjeje nga menaxhmenti pas kritikave të vazhdueshme të subjektit ndajt televizionit.

Kadaj thotë se afërsia e Menaxhmentit të RTK-së me klanin Pronto dihet tashmë,  por ajo ka kërkuar sqarime të tjera nga Shala për RTK-në. Ndër tjerash deputetja kërkon sqarim nga Shala edhe për, siç thotë ajo, raportet afariste mes RTK-së dhe Kolegjit AAB, ku Shala është ligjërues.

Pyetja e Kadajt për Shalën ka të bëj mundësitë e pakufizuara të kolegjit që të promovohet vazhdimisht në transmetuesin që mbahet nga taksat e qytetarëve të Kosovës.

“Bën mirë të sqarohet edhe për raportet afariste mes Kolegjit AAB (ku ai ligjëron) dhe RTK’së – si bëhet që një kolegj privat ta përdorë transmetuesin publik për promovim të tij, si ta kishte televizion të tij?”, pyet Kadaj në Facebook.

Më poshtë ju sjellim të plotë publikimin e deputetes në Facebook:

Drejtori Gjeneral i RTK’së Mentor Shala, nuk ka nevojë më të sqarohet në lidhje me afërsinë e tij dhe të Menaxhmentit të transmetuesit publik me klanin Pronto. Kjo gjë dihet mjaft mirë tashmë.

Shala le të na sqarojë këto çështje:

– Si Menaxhmenti i RTK’së ia ka shkaktuar rreth 7 milionë euro borxhe asaj?

– Si do të ia bejë RTK me betejat në gjykata, ku rrezikon të humbas rreth 10 milionë euro nga paditë?

– Se si përkundër vështirësive financiare, ai ka vazhduar të punësojë shokë e të afërm të tij dhe të klanit Pronto?

– Si e punësoi mikun e tij Nezir Rama me konflikt interesi?

– Si i punësoi balldeskat e Hashim Thaçit?

– Më tej, ai duhet të sqarohet rreth shkeljeve të procedurave lidhur me marketing gjatë EURO 2016?

– Si dhe, bën mirë të sqarohet edhe për raportet afariste mes Kolegjit AAB (ku ai ligjëron) dhe RTK’së – si bëhet që një kolegj privat ta përdorë transmetuesin publik për promovim të tij, si ta kishte televizion të tij?

Veprimet e Shalës moti na e kanë qartësuar se ai është segmenti i zgjatur i klanit Pronto në RTK, të cilën ai e ka bërë për pesë pare, duke e shndërruar në mjetin propagandistik të këtij klani, në zëdhënës të qeverisë banditeske.

Shpërndaje në: