Kadri Kastrati: Në Zllashë s’ka pasë kamp të përqendrimit

Periskopi.com Lajme

Ish-zëvendëskomandanti në Zonën Operative të Llapit, Kadri Kastrati, ka thënë se në fshatin Zllashë nuk ka pasë kamp të përqendimit siç është përmendur sot nga prokurori i Gjykatës Speciale në akuzat kundër Salih Mustafës.

“Salih Mustafa me njësitin e vet kanë qenë të pozicionuar në Prishtinë dhe kanë pasë dy detyra kryesore: të përcjellin veprimet e militarëve, paramilitarëve dhe policisë serbe ndaj popullatës shqiptare dhe të raportojnë në bazë ditore në Komandën e Zonës Operative të Llapit dhe furnizimi me barna dhe gjëra të tjera që është dashur t’i marrim në Prishtinë. Brigada 153 ka qenë e pozicionuar në Zllashë. Duke e pasë parasysh lidhjen fizike dhe territorial me Prishtinën ai ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me komandantin e Brigadës 153 që ka qenë Adem Shehu, Fatmir Sopi dhe Shemsi Veseli”.

“Nuk ka pasë kamp të përqendrimit, ju garantoj. Unë them se në Zllashë kanë qenë disa objekte të cilat kanë pasë funksion akomodimin dhe komandimin e Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit. Nëse i referohen objektit ku ka qenë operative si kamp përqendrimi mendoj që e kanë shumë gabim”.

“Përveç në Llapashticë që ne e kemi pranuar se ka pasë një qendër të mbajtjes, jo burg, ku janë ndaluar njerëzit që kanë bërë keqpërdorime gjatë luftës si vjedhje, malltretime të popullatës ose kolaboracionist që na kanë dëmtuar me informacione të ndryshme. Të njëjtit janë mbajtur nga 24 orë deri në disa javë, por asnjë nuk ka pësuar aty. Pasi e kanë pranuar gabimin dhe kanë premtuar se nuk do të sillen si më parë janë liruar”.

Ai tha se në Zllashë ka pasë disa shtëpi të vjetra të cilat kanë shërbyer si dhoma të fjetjes për ushtarët e Brigadës 153.

Kastrati që tha se e njeh nga afër Salih Mustafën të njohur me nofkën “Cali” u shpreh i sigurt se ai do të përballet me të gjitha akuzat që e ngarkojnë atë dhe të gjithë dëshmitarët që pritet ta japin dëshminë e tyre ditët në vijim.

Ai u shpreh secili që ka qenë pjesë e UÇK-së ashtu si edhe çdo shqiptar është ndjerë keq që ka nisur gjykimi i parë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.

Kastrati, në Info Magazine të Klan Kosovës, deklaroi se të gjitha akuzat që rëndojnë mbi Salih Mustafën janë të krijuara artificialisht nga Beogradi.

“Kjo gjykatë nuk është dashur të jetë fare, apo së paku të jetë vetëm për shqiptarë sepse në Kosovë krimet i ka kryer okupatori serb – policia, militarët dhe paramilitarët serbë. UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë, të pastër dhe çlirimtare për të mbrojtur qytetarin, pasurinë dhe shtetin e Kosovës. Të gjithë ata luftëtarë që kanë marrë pjesë në luftën e UÇK-së por edhe komplet populli shqiptar është ndjerë keq që ka filluar një gjykim, si ai sot ndaj Salih Mustafës. Është politike dhe në fund do të fitojë UÇK-ja, sepse jam shumë i bindur 1 milion përqind se jo vetëm Salih Mustafa por asnjë pjesëtar i UÇK-së nuk ka bërë krime në Kosovë ndaj kujtdo që të jetë ky gjykim”.

“Të gjitha këto akuza që i ngarkohen Salih Mustafës janë të fabrikuara në Beograd. Gjykata e Hagës ka punuar ngushtë me prokurorinë në Beograd dhe Beogradi ka punuar me vite të të tëra për t’i fabrikuar këto akuza, por në fund do të triumfojë drejtësia dhe Salih Mustafa do të dalë faqebardhë”.