Kadrijaj- Abdixhikut: Me pagë të deputetit me menzi e kam bo një banesë, qysh mujte ti me bo pasuri kaq të madhe?

Kadrijaj- Abdixhikut: Me pagë të deputetit me menzi e kam bo një banesë, qysh mujte ti me bo pasuri kaq të madhe?

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj i ka reaguar Ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit Lumir Abdixhiku i cili tha se po tremben nga ‘era shtet’ ata që sulmuan me vezë zëvendëskryeministrin Hoti, shkruan Periskopi.

Kadrijaj ka shkruar se ‘era shtet’ vjen kur Ministri Abdixhiku të tregojë tenderat e fituar nga të afërmit e tij.

Deputetja në një prononcim për Periskopin thotë se personat që kanë përfituar tender në KEK, janë të gjithë të afërm të ministrit, pa dashur të përmend emra.

‘’Shikojeni se kush janë ata njerëz që kanë marrë më së shumti tendera në KEK edhe keni me pa se janë krejt të afërt të Ministrit, Abdixhiku’’, tha deputetja.

Tutje, Kadrijaj kërkon transparencë nga ministri Abdixhiku për të treguar prejardhjen e pasurisë e cila sipas saj është mjaftë e dyshimtë.

‘’Me një pagë prej deputeti, unë jam deputete në të katërtin mandat me menzi e kam bo një banesë, qysh mundi zotëri Abdixhiku me rrogën tash i dyti mandat që është deputet, por tash është emëruar ministër, qysh ka mujtë me bo gjithë atë pasuri. Si ka mujtë me një pagë të tillë me bo gjthë atë pasuri? .Kërkoj transparencë prej tij.’’ tha Kadrijaj.

Kujtojmë se në Agjencinë kundër Korrupsionit, Abdixhiku, ka deklaruar se ka dy shtëpi në pronësi të përbashkët, vlera e të cilave sillet rreth 350 mijë euro, si dhe një tokë punë, që thotë se e ka trashëguar nga gjyshërit, që kushton 90 mijë euro.

Si pasuri të luajtshme, ai ka deklaruar veturën e bashkëshortes, vlera e së cilës është 12 mijë euro.

Ai ka deklaruar se ka edhe aksione në vlerë 3 mijë e 700 euro, në Institutin Riinvest.

Ministri i Infrastrukturës bashkë më gruan e tij kanë para të gatshme në banka rreth 5 mijë euro, dhe një kredi në vlerë 80 mijë euro që e kanë marrë për blerjen e shtëpisë.

“Kredia prej 80.000 euro është marrë për periudhën 2014-2019.Vlera fillestare e kredisë ka qenë 80.000 euro. Vlera e mbetur në datën e deklarimit të pasurisë është 8040.00 euro”, thuhet në regjistrin e publikuar nga AKK’ja.

Të hyrat vjetore të Abdixhikut sillen rreth 40 mijë euro, që i merr si pagë nga Kuvendi i Kosovës dhe Instituti Riinvest, derisa bashkëshortja e tij merr 7 mijë e 200 euro./Periskopi/Z.R/

Shpërndaje në: