Kadriu: Institucionet duhet të kërkojnë llogari për fondet e 3 Përqindëshit dhe “Vendlindja Thërret”

Kadriu: Institucionet duhet të kërkojnë llogari për fondet e 3 Përqindëshit dhe “Vendlindja Thërret”

Duke folur për politikat dhe sistemin fiskal – monetar në të kaluarën dhe tani në “Puls” të KTV-së, Kadriu ka përmendur edhe fondin e 3 Përqindëshin dhe “Vendlindja Thërret” duke thënë se aty është bërë keqpërdorimi më i madh.

Kadriu ka shtruar pyetjet se përse akoma nuk është kuptuar se sa ka kushtuar lufta çlirimtare.

“Kosova ekonomikisht është zhvilluar, ose më mirë, ka lulëzuar prej vitit 1970 deri në vitin 1980, ku në këtë periudhë, është bërë i gjithë kapaciteti dhe ndërtimi i vendit. Unë në vitin 1989 u emërova nga Kuvendi i Kosovës, Drejtor i Drejtorisë së të Hyrave Publike në KSA të Kosovës dhe në atë kohë i kam siguruar një miliard mjete për sigurime”, ka thënë Kadriu për zhvillimin ekonomik të asaj kohe, raporton Koha.net.

“Kur flasim për vitet e 90-ta, institucionet duhet kërkuar llogari për fondet e krijuara nga Bujar Bukoshi dhe Hashim Thaçi. Keqpërdorimi më i madh është bërë në fondet e 3 Përqindëshit dhe “Vendlindja Thërret” dhe asnjëherë nuk e kemi kuptuar se sa na ka kushtuar lufta çlirimtare”, ka shtuar Kadriu.

Kadriu po ashtu ka kërkuar nga Qeveria që të kërkojë pasurinë e kosovarëve nga Serbia. “Aty përfshihen të gjitha obligimet materiale, financiare e morale të Kosovës, siç janë: kthimi i Fondeve të uzurpuara, Fondi i pensionistëve, Fondi i invalidëve të punës, Fondi për arsim, ai për shkencë dhe shëndetësi, kthimi i mjeteve të plaçkitura nga trezori i Bankës Qendrore, të ndihmuar edhe nga UNMIK-u, ari, argjendi, deviza, si dhe ato që i kanë marrë nga miniera e Trepçës dhe ndërmarrjet e tjera, kthimi i mjeteve nga libreza devizore, kompensimi i dëmeve të luftës serbe ndaj Kosovës”, ka thënë ai.

Ish-drejtori në ish-KSAK ka thënë se pas luftës në Kosovë nuk janë shfrytëzuar resurset ekonomike dhe shteti është keqpërdorur si pronë feudale e njerëzve.
“Kur flasim pas çlirimit të vendit, unë nuk e di se kur ka qenë më keq, pas luftës partizane, në kohën e sistemit paralel të Kosovës, në kohën e UNMIK-ut apo tani. Në të gjitha kohërat, nuk është kuptuar seriozisht çështja e zhvillimit ekonomiko-social, nuk janë shfrytëzuar resurset ekonomike. Shteti është keqpërdorë dhe është trajtuar si pronë feudale e njerëzve, të cilët e kanë udhëhequr dhe e kanë konsideruar si pronë të veten”, ka thënë ai.

Shpërndaje në: