Kambana e katedrales “Nënë Tereza” bashkon sërish besimtarët

Kambana e katedrales “Nënë Tereza” bashkon sërish besimtarët

Besimtarë të shumtë katolikë sot gati pas më shumë se dy muajsh patën mundësi të marrin pjesë në meshën e së dielës, që nga mbyllja e saj për shkak i pandemisë Covid-19. Duke respektuar distancën sociale, dhe të pajisur me maskat mbrojtëse, shumë qytetarë të besimit katolikë të dielën iu kthyen vendit ku luten dhe kryejnë rituale të tjera.

Këta të fundit kanë folur me gëzim për vendimin e ri që është marrë nga qeveria, derisa theksojnë se kanë qenë të vështira këto ditë ku “shtëpitë e Zotit” kanë qenë të mbyllura.

Kambana e katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, bashkoi sërish të dielën besimtarët katolikë të vendit. Që në hyrje të katedrales është vendosur tuneli dezinfektues nëpërmjet të cilit kalojnë besimtarët. Ndërsa në bankat e saj janë të shënuara me shenja se ku mund të ulen deri në katër persona për të respektuar distancën e nevojshme sipas udhëzimeve të IKSHPK-së dhe udhëzimeve të Dioqezës së Katedrales “Shën Nënë Tereza”.

Në meshën e së dielës së rrëshajave, Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji para besimtarëve katolikë, tha se ka qenë shumë e vështirë që të mbahen meshat pa praninë e tyre gjatë kësaj kohe.

“E di që gjatë gjithë kësaj kohe keni pasur shumë dhimbje dhe shumë vështirësi të pranoni që nuk mund të vini të merrni pjesë në meshë. Por, siç e keni përcjellë nëpërmjet mediave dhe nëpërmjet mundësive të mediave sociale, ju keni parë që kemi vazhduar t’i kushtohemi Zotit, kemi vazhduar të shërbejmë kultin hyjnor që Krishti na i ka lënë amanet. E ju mjerisht është dashur të merrni pjesë në këtë shërbesë nga distanca e shtëpisë tuaj. Duke afruar shpirtin e juaj në kishë, nëpërmjet meditimit”, tha Dodë Gjergji.

Në ditën e Pashkëve, ipeshkvi i Kosovës tha se kanë ndezur nga një qiri për gjithë besimtarët katolikë në meshën e natës së Krishtit.

Ai u bëri thirrje besimtarëve të pranishëm, që secili të bëhet mjek i vetës, që sa më shpejt të kalojë pandemia e koronavirusit.

“Unë e di që nuk është mirë që të jeni këtu në kishë me maska, sikur të ishim mjek. Por tani duhet të bëhemi mjek të shëndetit tonë, secili duhet të bëhet mjek i shpirtit të vet. Andaj duhet të mbajë ato rekomandime të cilat ne i kemi përcaktuar së bashku me institucionet shëndetësore në vendin tonë”, theksoi Dodë Gjergji.

Dodë Gjergji ka falënderuar të gjithë mjekët që kanë shërbyer gjatë kësaj kohe në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.

Vilson Tomrecaj flet me gëzim që pas më shumë se dy muajsh pati mundësi të përcjell meshën në katedralen e qytetit.

“Normal që është kënaqësi, jemi më të lirë me dal me i kry edhe aktivitetet tona. Kështu që mirë është shumë…Na ka munguar, sepse çdo të diele vijmë me marrë pjesë në meshë, kështu që na ka munguar”, thotë ai.

Nga komuna e Gjakovës Nuh Deda ka ardhur sot në meshën e shenjtë të së dielës, thotë se pavarësisht pamundësisë për të ardhur në kishë. Ai gjatë kësaj kohe kishte kryer lutje e rituale tjera nga shtëpia.

“Jam i kënaqur se janë çel, duhet me pas kujdes se edhe në Gjakovë kam qenë të martën, këtu qenka më rregull…Kemi pasur pak mungesë, por çfarë me bo, Zotit nuk mundesh me ia marrë me zor. Si kishat si xhamiat kanë qenë të ndaluara”, shton ai.

Edhe Hilë Berisha është i gëzuar se sot kanë mundësinë që të jenë në katedrale në meshën e së dielës së rrëshajave, që nga mbyllja e saj për shkak të mos përhapjes së pandemisë Covid-19.

“Mirë është bërë, nuk duhet me u dorëzua kurrë, duhet me vazhdua jeta…në këtë situatë të mungon gjithçka por duhet me kalu” , thotë ai.

Me vendim të ri qeveritar, të enjten janë hapur xhamitë dhe kishat në tërë vendin. Mirëpo, besimtarët duhet të ndjekin një protokoll sigurie që ndihmon në parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19.

Shpërndaje në: