Kamenica përgënjeshtron Kurtin se ‘të gjithë u bënë bashkë kundër VV’

Kamenica përgënjeshtron Kurtin se ‘të gjithë u bënë bashkë kundër VV’

Kryeministri Albin Kurti, sot duke folur për rezultatin e keq të partisë së tij në zgjedhjet lokale, veç tjerash deklaroi se një nga faktorët që kjo parti nuk shënoi rezultat të mirë, është edhe fakti ‘që të gjitha partitë u bënë bashkë për ta mundur Vetëvendosjen’.

Mirëpo, Kamenica, është një nga komunat që përgënjeshtron deklaratën e kryeministrit Kurti.

Ka qenë vet partia e Kurtit, që para pak ditësh, ka publikuar video nga tubimi në Kamenicë, ku udhëheqës të degëve të partive (që VV i akuzon si ‘të regjimit të vjetër’), dolën hapur në përkrahje të kandidatit të VV-së në atë komunë, Kadri Rahimaj.

Mes tyre, ishin Fatmir Matoshi (AKR), ku partia e Kurtit madje e promovonte të parin duke folur nga tubimi në Kamenicë (Dardanë), pastaj Faton Jakupi i AAK-së, i cili thotë se ‘ushtarët e tij në Kamenicë’ tani ishin për Vetëvendosjen.

Madje, edhe ish-kryetari i kësaj komune nga radhët e PDK-së, Begzad Sinani, bënte fushatë hapur në mbështetje të kandidatit të Vetëvendosjes.

Kështu që duket, se më e qëndrueshme, është deklarata e kryeministrit Kurti se ‘kjo parti nuk shënoi rezultat të kënaqshëm shkaku i defekteve brenda’.

Kujtojmë se pas asaj që u konsiderua si debakël për partinë e Kurtit si pasojë e rezultatit të dobët në zgjedhjet e djeshme për balotazhin (ku VV fitoi vetëm 4 komuna), shumë zëra kritikë kanë vlerësuar se partia e Kurtit nuk është e organizuar mirë dhe se asaj i duhet reformë./Periskopi

 

 

Shpërndaje në: