Kampioni i botës në shah tërhiqet, kjo është arsyeja

Kampioni i botës në shah tërhiqet, kjo është arsyeja

Loja e shahut i ka sjell atij famë, pasuri dhe vlerësim ndërkombëtar. Por në moshën 31-vjeçare, “mbreti” i shahut, Magnus Carlsen, po tërhiqet nga loja. Dhe për një arsye të çuditshme. Nuk i pëlqen më.

Duke folur në Ditën Ndërkombëtare të Shahut, pesë herë kampioni botëror tha se përvoja e tij kishte qenë “një udhëtim interesant”, por në fund të fundit ai nuk është i motivuar për të luajtur një tjetër “kampionat rraskapitës tre-javorë”.

“Unë thjesht ndjej se nuk kam shumë për të fituar”, tha Carlsen. “Nuk më pëlqen, megjithëse jam i sigurt se një ndeshje do të ishte interesante për arsye historike. Nuk kam tendencë të luaj më dhe thjesht nuk do ta luaja ndeshjen”.

Carlsen, i cili ka dominuar lojën për më shumë se një dekadë, ka pasur një marrëdhënie të gjatë dashurie/urrejtjeje me Kampionatin Botëror të Shahut dhe megjithatë vendimi i tij do ta tronditë botën e shahut, shkruan Telegraph.

Që kur u bë kampion bote në vitin 2013, Carlsen ka qenë një inkurajim për miliona njerëz që të nisin të luajnë lojën e shahut.

Vendimi i tij i ka lënë me “kokëdhimbje” drejtuesit më të lartë të shahut.

Jashtë shahut, Carlsen kaloi kohë duke qenë model për kompaninë holandeze të modës G-Star Raw dhe gjithashtu ka nisur një perandori të suksesshme biznesi, duke themeluar grupin Play Magnus më 2013, i cili ofron aplikacione dhe platforma online të dizajnuara për të mësuar shahun që t’i inkurajojnë njerëzit ta luajnë lojën.

Carlsen është gjithashtu tifoz i zjarrtë i futbollit. Ai rrëmbeu titujt kryesorë në media në vitin 2019, kur udhëhoqi lojën “Premier League Fantasy” në mesin e shtatë milionë njerëzve.

I cilësuar si “fëmija mrekullibërës”, ai fitoi për herë të parë titullin e shahut nëntë vjet më parë, kur i dha fund mbretërimit gjashtëvjeçar të legjendës indiane Vishy Anand. Fitorja e Carlsenit u pa nga Garry Kasparovi dhe të tjerët si fillimi i një epoke të re në shah, që si 22-vjeçar atë kohë, ishte kampioni i parë i ri që kishte zhvilluar lojën e tij në epokën e kompjuterëve super të fortë të shahut.

Shpërndaje në: