Kanadaja pranon 300 mijë migrantë më 2017

Kanadaja pranon 300 mijë migrantë më 2017

Qeveria kanadeze ka thënë se e ka kufizuar numrin në 300,000 si bazë të re për pranim të rezidentëve të përhershëm, ndërsa shumica prej atyre që do të lejohen të hyjnë në vend do të përzgjidhen si migrantë ekonomikë.

Ndonëse targeti nuk ka ndryshuar nga plani i vitit 2016, është mbi mesataren e 259,542 migrantëve të pranuar nga viti 2011 deri më 2015.

Ministri i Migrimit, John McCallum, u ka thënë gazetarëve se vendosja e përhershme e targetit prej 300 mijë migrantëve do të vendoste themel për rritjen e migrimit në të ardhmen.

“Nuk besoj se është e vërtetë se më shumë migrantë në Kanada do të ishte politikë e mirë për arsye demografike”, ka thënë McCallum para gazetarëve, raporton Reuters.

Sikur shumë vende të zhvilluara, Kanadaja ka popullatë në plakje, që paraqet sfidë për zhvillimin ekonomik.

Një këshilltar i ministrit të Financave, Bill Morneau, para pak kohe i pati rekomanduar Kanadasë rritjen e targetit vjetor të migrimit në 450,000 për pesë vjetët e ardhshme për të tërhequr top-talentët për kompanitë kanadeze, transmeton Koha.net.

“Kjo shifër është e pranueshme në një të ardhme, por sigurisht jo për 2017”, tha McCallum.

Në bazë të planit për vitin e ardhshëm, numri i migrantëve të pranuar sipas kategorisë ekonomike do të rritet në 172,500 nga 160,600 sa ishin këtë vit, ka thënë qeveria kanadeze. Numri i refugjatëve do të ulej në 40,000 nga 55,800 sa ishte këtë vit.

Kanadaja ka një popullatë prej rreth 35 milionë banorësh.

Shpërndaje në: