Kandari i komunës së Prishtinës: “Për një kime” shpallet fitues kompania e shokut të drejtorit të Urbanizmit

Kandari i komunës së Prishtinës: “Për një kime” shpallet fitues kompania e shokut të drejtorit të Urbanizmit

Një ndër pjesët urbane të rëndësishme për Prishtinën është Tuneli i Kurrizit në lagjen Dardania. Ndonëse është asfaltuar viteve të fundit, infrastruktura aty është në gjendje të keqe. Komuna  Prishtinës ka menduar që hapësirën aty ta kthejë në një atraksion artistik, shkruan Periskopi.

Që të jetësohet projekti, nëpërmjet procedurave të prokurimit komuna ka shpallur një konkurs të projektimit i cili decitivisht quhet “Konkurs projektimi për renovimin infrastrukturore dhe artistik të tunelit të kurrizit – RITENDER”.

Para pak ditësh prokurimi komunal ka rekomanduar për kontratë grupin e kompanive “AET Group”  & “Die Form”. Pronarë tek kompania e parë, sipas të dhanve të ARBK-së është Safete Veliu Rexhepi, e cila është mësimdhënëse në Kolegjin “UBT”, pronar në kompaninë e dytë është Ajhan Bajmak, i cili po ashtu është mësimdhënës në Kolegjin “UBT”.

Periskopi ka parë se, drejtor i urbanizmit në Komunën e Prishtinës , Arbër Sadiku i ka kolegë të dy pronarët e kompanisë të kolegjit “UBT”, pasi edhe ky punon aty. Më shumë se kolegë, Bajmak është njëri prej shokëve dhe bashkëpunëtoreve më të mirë të drejtorit Sadiku dhe kompania e tij është themeluar në vitin e kaluar. Asnjëra nga këto dy kompani në koznercium nuk kanë realizuar kontrata publike më herët.

Miqësia në mes Sadikut e Bajmak dëshmohet edhe në rrjetin social të Drejtorit të Urbanizmit, i cili siç shihet e ka bashkëpunëtorë që disa vite, dhe jo vetëm nga Kolegji i “UBT”, ku Sadiku është emëruar profesor vjet.

Ky konkurs projektimi është një përsëritje, pasi vitin e kaluar kishte dështuar në mungesa të ofertave të përgjegjshme.

Në konkursin e fundit kanë garuar pesë kompani, tre nuk e kanë kaluar pragun, ndërsa janë kualifikuar vetëm dy, kompanitë fituese kanë marrë 100 pikë, ndërsa “Master Architests” në vendin e dytë me 98. 64 pikë.

Veç se kjo kompani nuk është pajtuar me vendimin e prokurimit komunal, andaj ka parashtruar ankesë dhe është pezulluar vendimi deri në shqyrtimin e kërkesës.

Pas pak ditësh, komuna i ka kthyer përgjigje kompanisë, e cila duket që është ankuar në procesin e poentimit, dhe pas shqyrtimit komuna e ka bërë një poentim të ri, duke e shpallë fitues “për një qime” përsëri konzerciumin  “AET Group”  & “Die Form”. Nese herën e parë fituesi kishte 100 pikë e i dyti 98.64, pas kërkesës për rishqyrtim të mbledhjes së pikëve edhe njëherë, fituesi ka dal më 99.70 pikë, i dyti më 99. 30 pikë.

Periskopi ka adresuar disa pyetje në Komunën e Prishtinës lidhur me këtë konkurs të projektimit në mes tyre dhe për lidhjen e drejtorit të Urbanizmit më kompaninë fituese, por deri më tani zyra për informim e KP-së nuk kanë dhënë përgjigje.

Tuneli i Kurrizit, respektivisht rruga ku qarkullojnë automjetet, pavarësisht asfaltimit të rrugës së punuar së voni, është në gjendje shumë të keqe. Mungon në përgjithësi siguria për këmbësorë, duke filluar nga ndriçimi adekuat, emetimi i gazërave nga automjetet dhe bizneset, si dhe sinjalistika e nevojshme për një rrugë ku qarkullon një fluks i lartë i automjeteve. Intervenimet në rregullimin e Platosë së Kurrizit kanë shkaktuar probleme të reja pasi të gjitha shkarkimet e ujërave atmosferike kanalizohen në sipërfaqen e rrugës së asfaltuar në tunel.

Mes gjithë problemeve të cekura të cilat duhet adresuar, Komuna e Prishtinas, po mendon se tuneli paraqet një aset kulturor dhe ekonomik, të cilin Komuna do të revitalizoj, fillimisht nëpërmjet organizmit të konkursit për zgjedhje urbane, e më pastaj nëpërmjet investimit në realizimin e projektit urbanistik e arkitektonik në mënyrë që ky aset të shfrytëzohet edhe më shumë sesa që bëhet sot.

Qëllimi kryesor i konkursit është hartimi i zgjidhjes urbane dhe arkitektonike për  regjenerimin e Tunelin e Kurrizit nëpërmjet artit, në mënyrë që kjo hapësirë të mund të shërbejë për organizime të ndryshme kulturore e komerciale.

Në aspektin kulturorë ngjarjet që mund të organizohen janë: shfaqje/koncerte muzikore publike, përformanca të tjera eksperimentale publike, festivale, ekspozita të ndryshme. Ndërkaq organizimet e karakterit komercial mund të jenë tregu i fermerëve lokal dhe panaire të ndryshme. Krahas rritjes së nivelit të sigurisë për qytetarët në ditët kur qarkullimi i automjeteve zhvillohet normalisht, qëllimi i intervenimit është edhe në aspektin që nëpërmjet artit të zhvilluar në muret e Tunelit, të ruhet memoria kolektive për këtë pjesë të Prishtinës së viteve të 90’ si një nga lokacionet më vibrante të qytetit atëbotë ku zhvillohej jeta kulturore dhe shoqërore, duke fillu nga arti vizual dhe muzika.

Rezultatet e pritura të Komunës nga ky projekt janë:

Rigjenerimi i hapësirës së tunelit përmjet artit vizual;

Zgjidhja urbane dhe arkitektonike për tunelin, përfshirë edhe skenarët e organizimit të hapësirës për mbajtjen e aktivitetet kulturore e komerciale;

Riorganizimi i trafikut dhe hyrjeve e daljeve në ditët e rëndomta kur ka qarkullim të veturave si dhe në ditët kur mbahen aktivitetet;

Rritja e sigurisë për këmbësorë, biciklistë dhe vozitësit e automjeteve;

Përmirësimi i infrastrukturës së përgjithshme, përfshirë ndriçimin, largimin e ujërave atmosferik dhe largimin e gazërave të emetuara nga automjetet dhe bizneset ekzistuese. /Mentor Buzhala -Periskopi/

Drejtori Arbër Sadiku në bahskpunim të ngushtë me pronarin e kompanisë “Die Form”,  profesorin Ajhan Bajmak:

 

 

Shpërndaje në: