Kapet një sasi e konsiderueshme e marihuanës në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme të substancës narkotike të llojit “marihuanë” pas kontrollit ndaj tre të dyshuarve në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë.

Kështu bëri të ditur për Klankosova.tv Agron Borovci, zëdhënës i policisë për rajonin e Prishtinës.

Ai tha se i dyshuari me inicialet A.B është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe po hetohet për veprën “blerje, posedim dhe shitje e paautorizuar e substancave narkotike”, derisa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt dhe po hetohet për “posedim të paaautorizuar të substancave narkotike”.

“Më datë 26.10.2021 rreth orës 01:15, në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë policia mbështetur mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, ka kryer një kontroll të personave ndaj tre të dyshuarve me ç’rast ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme të substancës narkotike që dyshohet të jetë e llojit kanabis (marihuana)”.

“I dyshuari A. B, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, është arrestuar dhe me rekomandimin e prokurorit të shtetit i njëjti është dërguar në mbajtje prej 48 orësh. Ndaj tij policia ka iniciuar një hetim për “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.

“Ndërkohë i dyshuari D. B, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, me rekomandimin e prokurorit të shtetit është liruar në procedurë të rregullt. Ndaj tij policia ka iniciuar një hetim për posedim të paautorizuar të substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.