Kapitalizmi është i vdekur – Kiameti afër

Kapitalizmi është i vdekur – Kiameti afër

Për pjesën më të madhe të jetës sime si i rritur jam përçartur kundër “kapitalizmit korporativ”, “kapitalizmit konsumerist” dhe “kapitalizmit korruptiv”. Më është dashur goxha kohë që ta kuptoja se problemi nuk ishte te mbiemri [korruptiv/konsumerist/korporativ] por te vetë emri [kapitalizmi]. Shumë njerëz e kanë refuzuar kapitalizmin me ngut e me kënaqësi, por unë e kam bërë ngadalë e me zymtësi. Pjesë e arsyes ishte se nuk shihja një alternativë të qartë: për dallim nga disa anti-kapitalistë, kurrë s’kam qenë entuziast për komunizmin shtetëror. Jam frenuar po ashtu edhe nga gjendja e tij religjioze. Të thuash “kapitalizmi po dështon” në shekullin 21 ishte si të thoje “Zoti është i vdekur” në të 19-in: është blasfemi sekulare. Kërkonte një shkallë vetëbesimi që unë nuk e posedoja.

Por, ndërsa po moshohesha, arrita që të njohesha me dy gjëra. E para, që është sistemi, më shumë se ndonjë variant i sistemit, që po nga ngre neve pashmangërisht drejt katastrofës. E dyta, që ju nuk duhet të prodhoni një alternativë definitive që të thuash se kapitalizmi po dështon. Pohimi në fjalë qëndron në këmbë të veta. Por, po ashtu kërkon përpjekje tjetër e të ndryshme për të zhvilluar një sistem të ri.

Kapitalizmi kollapson pa rritjen, e megjithatë rritja e përhershme në një planet të kufizuar çon në katastrofë të paevitueshme ambientale.

Dështimet e kapitalizmit rrjedhin nga dy prej elementeve definuese të tij. E para është rritja e përhershme. Rritja ekonomike është efekti agregat i kërkimit për të akumuluar kapital dhe për të ekstraktuar profitin. Kapitalizmi kollapson pa rritjen, e megjithatë rritja e përhershme në një planet të kufizuar çon në katastrofë të paevitueshme ambientale.

Ata që e mbrojnë kapitalizmin argumentojnë se, ndërsa konsumi kalon prej të mirave te shërbimet, rritja ekonomike mund të shkëputet nga përdorimi i resurseve materiale. Javën që shkoi, një ese në gazetën Ekonomia e Re Politike, nga Jason Hickel dhe Giorgos Kallis, e ekzaminoi këtë premisë. Ata gjetën se megjithëse një shkëputje relative ndodhte përnjëmend [nga resurset materiale] në shekullin 20 [konsumi i resurseve materiale u rrit, por jo aq shpejt sa rritja ekonomike], në shekullin 21 ka pasur një ngjitje: ngritja e konsumit të resurseve deri tash është lidhur apo e ka tejkaluar shkallën e rritjes ekonomike. Shkëputja absolute e nevojshme për të shmangur katastrofën ambientale [reduktimi i përdorimit të resurseve materiale] kurrë nuk është arritur, dhe duket i pamundur ndërsa rritja ekonomike vazhdon. Rritja e gjelbër është një iluzion.

Sistemi i bazuar në rritjen e përhershme nuk mund të funksionojë pa ekternalitete e periferi. Duhet të ketë gjithnjë një zonë ekstraktimi – nga e cila materialet nxirren pa pagesë të plotë – dhe një zonë të shitjes, ku kostot hidhen në formën e bërllokut dhe ndotjes. Ndërsa shkalla e aktivitetit ekonomik rritet derikur kapitalizmi të afektojë gjithçka, nga atmosfera deri te shtresa e fundit e oqeanit, i gjithë planeti bëhet zonë për t’u sakrifikuar: të gjithë ne e popullojmë periferinë e makinesë profit-krijuese.

Kjo na çon neve drejt kataklizmit në një shkallë të atillë që shumë njerëz nuk mund as ta imagjinojnë. Kolapsi kërcënues i sistemeve bazike për jetën tonë është shumë më i madh se lufta, uria, murtaja apo krizat ekonomike, megjithëse është e mundur që t’i përfshirë të katër nga këto. Shoqëritë mund të mëkëmben nga këto evente apokaliptike, por jo nga humbja e tokës, klima e përshtatshme dhe biosfera e bollshme.

Elementi i dytë definues është supozimi bizar që një person ka të drejtë në pasuritë natyrore të botës aq sa paratë e tij mund të blejnë. Ky përvetësim i të mirave të përbashkëta shkakton tri zhvendosje të mëtejme. E para, përleshja për kontroll ekskluziv të asete të pariprodhueshme, që nënkuptojnë ose dhunimin ose kufizimin e të drejtave të tjetrit. E dyta, iminigimi i njerëzve tjerë nga një ekonomi e bazuar në grabitjen e kohës dhe hapësirës. E treta, përkthimi i fuqisë ekonomike në fuqi politike, ndërsa kontrolli mbi resurset ekonomike çon në kontrollimin e relacioneve sociale që i shoqërojnë ato.

Refugjatët në kufirin mes Maqedonisë dhe Greqisë. “Në shekullin 21 rritja e konsumit të resurseve ka arritur dhe bile tejkaluar shkallën e zhvillimit ekonomik.” Fotografia nga Dimitar Dilkoff/AFP/Getty Images

 

Në New York Times të dielën, ekonomisti që ka fituar Nobel, Joseph Stiglitz, kërkonte të bënte dallimin mes kapitalizmit të mirë, të cilin e quajti “pasuri krijues” dhe kapitalizmit të keq, të cilin e quajti “pasuri grabitës”. E kuptoj dallimin që bën ai. Por nga pikëvështrimi ambiental, krijimi i pasurisë është grabitje e pasurisë. Rritja ekonomike, në thelb i lidhur me rritjen e përdorimit të resurseve materiale, nënkuptojnë grabitjen e pasurive natyrore nga sistemet aktuale dhe të gjeneratave të ardhshme.

T’i theksosh problemet e tilla nënkupton të ftosh një mori akuzash, shumë prej të cilave janë bazuar në këtë premisë: kapitalizmi ka shpëtuar qindra miliona njerëz nga varfëria – tash ju po kërkoni t’i varfroni sërish. Është e vërtetë që kapitalizmi, dhe rritja ekonomike që nxit, e ka përmirësuar radikalisht prosperitetin e një numri shumë të madh njerëzish, ndërsa njëherësh shkatërrojnë prosperitetin e shumë të tjerëve: ata toka, puna dhe resurset e të cilëve grabiten për të stimuluar rritje tjetërkah. Shumica e pasurisë së vendeve të pasura ishte – dhe është – e ndërtuar mbi skllavërinë dhe shpronësimin kolonial.

Si qymyri, kapitalizmi ka sjellë shumë të mira. Por, njësoj si qymyri, tash ai po shkakton më shumë të këqija se të mira. Ashtu siç kemi gjetur mjete për energji që janë më të mira dhe më pak dëmtuese se qymyri, na duhet të gjejmë mjetet për të gjeneruar mirëqenie për njerëzit që janë më pak të dëmshme se kapitalizmi.

Komunizmi sovietik ka më shumë të përbashkëta me kapitalizmi se që mbrojtësit e secilit sistem do të pranonin.

Nuk ka kthim mbrapa: alternativa për kapitalizmin nuk është as feudalizmi e as komunizmi shtetëror. Komunizmi sovietik ka më shumë të përbashkëta me kapitalizmi se që mbrojtësit e secilit sistem do të pranonin. Të dyja sistemet janë [ose ishin] të obsesionuara me krijimin e rritjes ekonomike. Të dyja ishin të gatshme të shkaktonin dëme të mëdha për të arritur qëllimin. Të dyja premtuan të ardhme në të cilën neve na duhej të punonin vetëm pak orë në javë, por në vend të kësaj kërkuan punë brutale, me kërkesa të shumta. Të dyja janë çnjerëzore. Të dyja janë absolutiste, duke insistuar që ata dhe vetëm ata janë Zoti i vetëm.

E pra, si duket nj ësistem më i mirë? Nuk e kam një përgjigjje përfundimtare, dhe nuk besoj që ndokush e ka. Por, mendoj se po e shoh një fragment të këtij sistemi derisa del në dritë. Pjesë të tij janë nga civilizimi ekologjik i propozuar nga Jeremy Lent, një prej mendimtarëve më të mëdhenj të epokës sonë. Elementët e tjerë vijnë nga të tjerë me të menduar ambientalist, në nocionin e “mjaftueshmërisë private dhe luksit publik”. Një pjesë tjetër pastaj vjen nga krijimi i koncepsionit të drejtësisë bazuar në këtë parim të thjeshtë: çdo gjeneratë, çdokund, duhet të ketë të drejtë të barabartë për të shijuar pasuritë natyrore.

Besoj që detyra jonë është të identifikojmë propozimet më të mira nga shumë mendimtarë të ndryshëm dhe t’i formësojmë ato në një alternativë koherente. Sepse asnjë sistem ekonomik nuk është thjesht sistem ekonomik. Ai ndërhyn në çdo aspekt të jetëve tona, e prandaj na duhen shumë mendje nga fusha të ndryshme – ekonomia, ambientalizmi, politika, kultura, shoqëria dhe logjistika – që të punojnë së bashku për të krijuar një mënyrë më të mirë të organizimit tonë që i realizon nevojat tona pa na e shkatërruar shtëpinë.

Zgjedhja jonë është kjo. A duhet t’i ndalim jetërat tona që kapitalizmi të vazhdojë, apo të ndalim kapitalizmin që jeta jonë të vazhdojë? /Periskopi

Titulli është i Periskopit, autori është i The Guardian

Shpërndaje në: