Kaq e pati dhe shkurti, zbuloni ç’kanë parashikuar yjet për javën e fundit të këtij muaji

Periskopi.com Zoya

Dashi: Ju të lindurit e shenjës së Dashit njiheni si  njerëz që ju pëlqen t’i digjni etapat. Nëse keni simpati për dikë, nuk rrini të prisni, por përfshiheni kokë e këmbë në lidhje. Në një kohë tjetër, do të ishte e këshillueshme të tregoheshit të kujdesshëm. Por tani që qielli ju favorizon, mund t’ia lejoni vetes të veproni me instinkt pa pasur frikë se mund të gaboni. E mërkura dhe e enjtja do të jenë ditë me shumë fat.

Demi: Këtë javë qielli ju premton rezultate të shkëlqyera në aspektin profesional. Mërkuri dhe Marsi do të veprojnë në favorin tuaj, duke ju dhënë energjinë dhe aftësinë intelektuale të nevojshme për të kapërcyer çdo sfidë. Veçanërisht ditën e premte ju presin surpriza të bukura. Në fundjavë, falë Hënës që ju ndihmon, do të përjetoni emocione të forta dhe të mbushura me romantizëm. Edhe për beqarët do të ketë të reja interesante.

Binjakët: Pritet që në krye të javës të hasni pengesa në aspektin profesional. Hëna dhe Mërkuri në pozicion të pafavorshëm nuk jua lehtësojnë marrëveshjet e punës, sidomos nëse bashkëpunoni me të tjerë. Duke filluar që nga dita e mërkurë, do të mund t’i zgjidhni problemet më lehtësisht. Venusi në anën tuaj ju dhuron fat në aspektin sentimental. Fundjava premton të jetë emocionuese.

Gaforrja: Debatet me partnerin nuk do të mungojnë as këtë javë. Venusi në pozicion të pafavorshëm vazhdon të krijojë tension, ndërkohë që Marsi, i cili gjithashtu nuk ju favorizon, shkakton nervozizëm dhe lodhje. Për fat, mund të mbështeteni te Mërkuri, i cili do t’ju ndihmojë në aspektin profesional. E hëna dhe e marta do të jenë ditë me fat. Kushtojini më shumë kohë vetes, që të mund të qetësoheni.

Luani: Venusi do të ndriçojë në qiellin tuaj, i gatshëm për t’ju dhuruar forcë dhe përkrahje. Çiftet që janë bashkë prej kohësh, do të mund të shikojnë drejt së ardhmes me gëzim. Tashmë, me përvojën që keni, ju dhe partneri mund të merrni vendime të rëndësishme. Ditët më me fat të javës do të jenë e mërkura dhe e enjtja, sepse Hëna ju favorizon. Në fundjavë mund të keni tensione në familje.

Virgjëresha: Java nuk do të fillojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Që në krye të saj do t’ju duhet të përballeni me Hënën në pozicion të pafavorshëm, që së bashku me Mërkurin janë një kombinim i keq. Në mënyrë që të arrini rezultatet e dëshiruara, sidomos në aspektin profesional, do t’ju duhet të prisni disa javë. Fundjava do të jetë çlodhëse në shoqërinë e një personi të veçantë për ju.

Peshorja:  Këtë javë, për fat të keq, do t’ju duhet të përballeni me Venusin në pozicion të pafavorshëm. Si Peshore të mira që jeni, ju gjithmonë përpiqeni t’i shmangni zënkat dhe diskutimet e ndezura, por kësaj here do ta keni të pamundur të bëni rolin e të paditurit sa herë që do të viheni në pozitë të vështirë. Nëse dashuria me partnerin është e sinqertë, do të arrini ta ktheni këtë krizë në një moment force për ju.

Akrepi: Yjet janë radhitur në anën tuaj. Nuk ka kohë për të humbur. Mërkuri dhe Jupiteri ju premtojnë rezultate të larta në aspektin profesional, nëse do të keni kurajën për të vepruar. Nuk do të mungojnë rastet e duhura për të treguar sa vleni. E hëna dhe e marta do të jenë ditë me fat. Në fundjavë, Hëna në pozicion të pafavorshëm mund të bëhet shkaktare për zënka mes jush dhe partnerit.

Shigjetari:  Të dashur Shigjetarë, mos bëni panik, nëse gjatë kësaj jave gjërat nuk do të shkojnë ashtu siç dëshironi. Bëhet fjalë për pengesa dhe vonesa të përkohshme. Hëna në pozicion të pafavorshëm ditën e hënë dhe të martë, mund të ndikojë që t’ju ndodhin të papritura. Ndërsa Mërkuri, i cili gjithashtu nuk ju favorizon, do të bëjë që të keni mosmarrëveshje me kolegët dhe eprorët. Për fat, do të keni mbështetjen e Venusit dhe do të jeni të lumtur në krah të partnerit.

Bricjapi: Në këtë periudhë jeni kaq të përqendruar te karriera dhe ambiciet tuaja, sa dashuria ka kaluar në plan të dytë. Venusi në pozicion të pafavorshëm rrezikon të krijojë tension mes jush dhe partnerit, sidomos nëse jeni duke kaluar një moment krize. Marsi në shenjën tuaj, ju bën që të jeni më energjikë. Në fillim të javës, pritet që të merrni lajme të mira. Të mërkurën dhe të enjten do të ndiheni nervozë.

Ujori: Venusi do të ndriçojë kësaj jave në shenjën tuaj, i gatshëm për t’ju mbështetur në lidhjen  sentimentale, për t’ju dhënë forcë dhe stabilitet. Veçanërisht dita e martë dhe e mërkurë do të jenë të mbushura me romantizëm, edhe për faktin se Hënën do ta keni aleate. Në fundjavë pritet që të keni tensione në familje.

Peshqit: Java do të fillojë në mënyrën më të bukur me Hënën që ju favorizon ditën e hënë dhe të martë. Ajo dhe Mërkuri pozitiv në shenjë, ju premtojnë të reja interesante dhe raste që nuk duhet të lini t’ju shpëtojnë, sidomos kur bëhet fjalë për punën. Marsi aleat ju bën me të vërtetë të pathyeshëm. Do të keni fat edhe në fundjavë, gjatë së cilës do të jeni të favorizuar në sferën e ndjenjave.

Shpërndaje në: