Karantina serbe në Veri: Abazi akuzon Thaçin se e ndau Veriun dhe Mustafën se keqpërdori fonde

Periskopi.com Lajme

Njeriu i dytë në Qeverinë e shkarkuar, Haki Abazi, ka thënë se Veriu është i ndarë për shkak të Presidentit aktual, Hashim Thaçi. Ai ka thënë se po vazhdon komploti kundër shtetit, duke fajësuar kështu Thaçin, Mustafën dhe Vuçiqin.

“Veriu është i ndarë, sepse Thaçi e ka ndarë dhe e ka mbajtur të tillë për 20-vjet”, ka shkruar Abazi, në një reagim në Fb pasi dy komunat veriore u vendosën në karantinë.

“Kosova dhe qytetarët në Jug dhe Veri flasin me dhe nëpërmjet qeverisë së tyre legjitime dhe kryeministrin Kurti”, ka shkruar Abazi.

Ai ka hedhur fajin te Thaçi, Mustafa e Vuçiqi për gjendjen në Veri.

“Sinkronizimi Thaçi- Mustafa dhe Vuçic po vazhdon; komploti kundër shtetit me tendencën për të krijuar qeveri servile, kryeministër të kapur e pakurrizor të përkrahur edhe me votën e Listës Srpska. Veriu që 20-vite është lënë që të përdoret si kartë për të mbuluar keqbërjen e tyre”, ka shkruar ai.

Abazi ka përmendur dosjet e së kaluarës duke thënë se liderët politikë s’po kanë dëshirë të funksionojë ligji.

”Mustafa ka qenë i vetmi ministër i financave, i cili me mandat kushtetutes ka mbledhur fondin e 3% dhe po ai, bashkë me Bukoshin, ato financa i kanë kthyer në OJQ të UFORK. Tani vazhdojnë me propagandë e në bashkërëndim me ata që po ashtu kanë keqpërdorur fondin “Vendlindja thërret”. Këtyre nuk ju leverdis zbatimi i ligjit e as hapja e dosjeve nga e kaluara”, – ka akuzuar ai z.Mustafa.

Ndryshe, Avni Zogiani nga VV e kishte kallëzuar penalisht z.Abazi për keqpërdorim fondesh.

Shpërndaje në: