‘Karriget i kemi, por më shumë do të rrimë në këmbë’: Ja ministrat që harruan këshillën e Kurtit, e më shumë po rrijnë ulë

‘Karriget i kemi, por më shumë do të rrimë në këmbë’: Ja ministrat që harruan këshillën e Kurtit, e më shumë po rrijnë ulë

Para dy vitesh, në mbledhjen e parë të asaj që quhej Qeveria Kurti 1, Albin Kurti iu pati rekomanduar ministrave të tij, që të ‘flinin me programin e qeverisë’ si dhe ‘në karrige të mos rrinin shumë, por në këmbë’.

Mënyra se si shprehej Kurti, nënkuptonte se ministrat duhet të punojnë, që ta ndryshonin ‘gjendjen e rëndë’ për të cilën fliste në vazhdimësi partia që fitoi zgjedhjet – VV.

“Karriget i kemi, por më shumë do të rrimë në këmbë, për shkak të punëve që na presin. Sytë e popullit janë kah ne. Do të ishte mirë që të gjithë ta mësojmë përmendësh programin tonë  (nga marrëveshja me LDK, sqarimi jonë) sepse me të do të flejmë në mbrëmje e me të do të zgjohemi në mbrëmje”, pati deklaruar Kurti.

Dy vite më pas, duket sikur ministrat, anipse disa emra të rinj nga Qeveria Kurti 1, këta të dyshit, nuk e kanë marrë seriozisht këshillën e dikurshme kryeministrit të njëjtë.

Organizata joqeveritare “Lëvizja FOL”, që ka bërë monitorimin e planit strategjik-operacional të punës së qeverisë për periudhën janar-qershor 2022, ka gjetur se  nga 2 mijë e 63 aktivitete të parapara nga qeveria, janë realizuar vetëm 983 prej tyre, apo 47.6 për qind e planit të paraparë.

Sipas raportit, duket se edhe vetë Zyra e Kryeministrit nuk është se po rri shumë në këmbë, por më shumë në karrige.

“Zyra e Kryeministrit në kuadër të planit strategjik – opercional në periudhën janar – qershor 2022 ka paraparë të realizojë 98 aktivitete prej të cilave i ka realizuar vetëm 46 nga ato apo 46.9%”, thotë FOL.

Top 2 Ministritë me performancën më të dobët  

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për periudhën janar-qershor 2022 ka paraparë që të realizojë 35 aktivitete e që i ka realizuar vetëm 15, apo 42.9%.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka paraparë që të realizojë 401 aktivitete, i ka realizuar 103 nga ato, 22.3%.

Top 2 Ministritë me performancën më të mirë

Ministria e Zhvillimit Rajonal 40 aktivitete, i ka realizuar 38 nga to apo 95%.

Ministria e Kthimit, 8 aktivitete, 7 nga to, 87.5%.

Ministria e Shëndetësisë, ndër më të dobëtat

E kur kryeministri Kurti mori detyrën për atë që publiku iu referua si ‘Qeveria Kurti 2’, ai pati një këshillë specifike për Ministrinë e Shëndetësisë.

“Andaj duhet të veprojmë me urgjencë që të ulim rastet dhe të eliminojmë vdekjet e reja si rezultat i virusit. Por, duhet të ketë edhe plane të zbatueshme të cilat marrin parasysh shëndetin fizik dhe mendor të qytetarëve si dhe shëndetin e ekonomisë së vendit tonë. Balancimi i këtyre duhet të bëhet përmes një plani që duhet të hartohet me urgjencë nga Ministria e Shëndetësisë, e Ekonomisë dhe ministrive të tjera”, pati deklaruar Kurti në mbledhjen e parë të qeverisë 2 të tij.

Por, statistika e FOL-it, e nxjerr Ministrinë e Shëndetësisë ndër më të dobëtat.

Nga 76 aktivitete që i ka paraparë kjo Ministri, i ka realizuar vetëm 28 sosh, apo 36.8%./Periskopi

 

 

Shpërndaje në: