Katapultat GPS vlerësohen si kulturë e re në futbollin e Kosovës

Katapultat GPS vlerësohen si kulturë e re në futbollin e Kosovës

Tri klube tjera të Superligës janë pajisur nga FFK-ja me pakot e katapultave GPS nga kompania “Fitogether”, në kuadër të fazës së parë të projektit të digjitalizimit.

Gjatë ditës së djeshme, kryetari Agim Ademi e ka shpalosur rëndësinë e këtij projekti para futbollistëve dhe shtabeve teknike të KF Feronikeli, KF Drenica dhe KF Dukagjini.

Ai është shprehur i lumtur që pas digjitalizimit të federatës ka ardhur radha edhe për digjitalizimin e klubeve, duke u bërë ndër vendet e pakta në rajon që po arrin t’i realizojë projektet e tilla të teknologjisë së fundit.

“Pas projektit VAR që është mirëpritur nga të gjithë ju dhe opinioni i gjerë, tani kemi filluar edhe me fazën e parë të digjitalizimit të klubeve të Superligës, duke bërë furnizimin e tyre me pakot e katapultave GPS. Kjo është një pajisje e teknologjisë më të fundit, e lehtë për t’u bartur dhe shumë e përshtatshme. Kjo pajisje e mundëson që të shihet performanca e juaj fizike, por edhe pozicionimi juaj në fushë. Ky projekt do të na mundësojë të shohim se sa do të kemi ngritje në aspektin fizik dhe profesional në klubet tona. Por, ne nuk do të ndalemi vetëm me kaq, ngase pas një viti sigurisht se do të bëjmë një hap tutje në digjitalizim, në mënyrë që të nxirren të gjitha statistikat e futbollistëve përfshirë edhe vendosjen e çipave në top, që do të mundësojnë të kemi statistika edhe për shpejtësinë dhe saktësinë e gjuajtjes së secilit lojtar”, ka thënë gjatë këtyre vizitave Ademi.

Në të tri këto vizita me praninë e tyre presidentin Ademi dhe zyrtarët e tjerë të federatës i kanë nderuar edhe drejtuesit e klubeve, të cilët kanë shprehur falënderime ndaj FFK-së për realizimin e projekteve të tilla madhore.

“Në emër të qytetit dhe të klubit tonë të falënderojmë president për mbështetjen që na ke dhënë si klub jo vetëm me këto pajisje por edhe në projekte tjera. Realisht këto pajisje janë të mirëseardhura për ne, ngase e ndihmojnë stafin e trajnerëve dhe stafin mjekësor që ta përcjellin gjendjen dhe formën e secilit futbollist dhe sigurisht se do të ndihmojnë në rritjen profesionale”, ka thënë drejtori i KF Feronikeli, Artan Berisha.

Ndërkaq, mirënjohje për presidentin Ademi dhe KE të FFK-së për punën dhe realizimin e projekteve të këtilla kanë shprehur edhe kryetari i KF Drenica, Mustaf Bajraktari dhe ai i KF Dukagjini, Fabian Veseli.

Shpërndaje në: