KEDS-i njofton popullin e Kosovës: U shterrën paratë tona

KEDS-i njofton popullin e Kosovës: U shterrën paratë tona

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë ka deklaruar se kriza energjetike tash e më shumë se një muaj ka prekur edhe Kosovën.

Nëpërmjet një komunikate për media thuhet se mundësitë  financiare të KEDS janë shterë deri në fund, si pasojë e përballjes me çmime të larta.

“Tregu energjetik evropian pjesë e të cilit është edhe Kosova, po përballet me çmime pesëfish më të shtrenjta në raport me vitin e kaluar. Këto çmime marramendëse e që shkojnë mbi 300 euro për MWh po i paguajnë kompanitë KEDS dhe KESCO, pa përfshirë edhe çmimet për kapacitetet ndërkufitare e të cilat ndikojnë tutje në çmimin fundor të energjisë së importuar. Megjithëse të përballura me kosto përtej atyre të lejuara, KEDS dhe KESCO po e mbajnë mbi supe barrën financiare dhe po bëjnë më të mirën që konsumatorët të furnizohen me energji elektrike edhe në këtë kohë krizash.” thuhej në komunikatë.

Tutje kërkohej ndihma e akterëve të sektorit energjetik dhe institucioneve relevante, që kjo situatë të afektojë sa më pak konsumatorët në këtë kohë, por edhe në të ardhmen.

“ Tani kur po hyjmë në sezonin e dimrit, ne jemi dëshmitar të një trendi të rritjes së konsumit, që kryesisht ndodh pasi pjesa më e madhe e qytetarëve të vendit po ngrohen me energji elektrike. Megjithëse kapacitetet prodhuese në vend kanë shënuar rritje viteve të fundit, kjo rritje nuk është lineare me rritjen e kërkesës për konsumin e energjisë elektrike, dhe respektivisht kjo diferencë e madhe sidomos gjatë kohës së pikut, duhet të mbulohet përmes importit.”

KEDS bëri të ditur se gjendjen e kanë njoftuar në Task Forcën e krijuar nga Ministria e Ekonomisë dhe institucionet e larta shtetërore. Gjithashtu deklarojnë se janë të gatshëm për bashkëpunim me të gjithë palët që kjo situatë të tejkalohet sa më lehtë

“Varshmëria ndaj importit na ekspozon ndaj lëvizjes së  çmimeve të importit në tregjet ndërkombëtare, e çmimet në tregjet ndërkombëtare aktualisht janë të papërballueshme. Kostot e importit si të tilla nuk janë paraparë gjatë shqyrtimit të fundit tarifor, prandaj, nevoja për mbështetje financiare për sektorin e energjisë është e domosdoshme dhe imediate. Kriza më së lehti tejkalohet me bashkimin e forcave, dhe ne si kompani jemi të hapur për bashkëpunim dhe në gjetjen e një zgjidhje sa më të mirë për të gjithë.”

Shpërndaje në: