KEK-ut i delegohen detyra shtesë rreth sigurimit të energjisë elektrike

KEK-ut i delegohen detyra shtesë rreth sigurimit të energjisë elektrike

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se i janë deleguar detyra shtesë për të siguruar energji elektrike edhe përkundër faktit se kjo përgjegjësi është e furnizuesit privat.

Lidhur me këtë, KEK sot ka pranuar disa rekomandime nga Komiteti Teknik për Energji. Rekomandimi kryesor është që KEK të shfrytëzojë mjetet e mbetura (rreth 7 milion Euro.) nga subvencioni i bartur nga Qeveria e Kosovës për import të energjisë elektrike për të mbuluar kërkesën vendore, pra me qëllim të furnizimit të pandërprerë dhe eliminimit të devijimeve.

“Aktualisht, KEK është duke punuar intensivishte me Ministrinë e Ekonomisë në finalizimin e marrëveshjes për jetësimin e rekomandimeve të Komitetit Teknikë të Energjisë”, thuhet në komunikatën e KEK.

Për më tepër, në kohën kur në vendin tonë rritet konsumi, KEK thotë se  po vazhdon të pranoj një sasi të caktuar të energjisë elektrike nga Korporata Elektro-energjetike Shqiptare (KESH). Kjo sasi po merret nga depozitimi që KEK-u kishte bërë për disa muaj në KESH dhe po vazhdon të depozitoj sa herë që KEK-u ka teprica. E gjithë kjo me qëllim furnizimit të konsumatorëve fundor dhe evitimin e reduktimeve.

Në këtë drejtim, KEK deri më tani ka depozituar mbi 120.000 MWh, ndërsa gjatë 4 ditëve të fundit nga KESH-i kemi pranuar rreth 3,500 MWh. /Periskopi/

Shpërndaje në: