Kelmendi i ETC-së e pranon se iu grabit kompania, tregon sa para iu vodhën

Periskopi.com Lajme

Sot rreth orës 09:00 ka ndodhur një grabitje në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë- Kosovë.

Grabitja është bërë ndaj një punëtori të kompanisë “Elkos” me pronar ish-deputetin Ramiz Kelmendi. Ai ishte duke shkuar për të deponuar një shumë parash në bankë, por dy persona kanë arritur t’ia grabisin mijëra euro.

Grabitjen përveç Policisë, e ka konfirmuar edhe vetë Kelmendi, i cili nuk ka konfirmuar sa para janë grabitur, por që ka thënë se janë mijëra euro.

“Sot një punëtor yni është grabitur derisa ishte duke shkuar për të depozituar paratë e kompanisë në bankë, duket se dikush po na përcjell se ku dhe kur po deponojmë para. Kjo nuk është hera e parë që ne grabitemi”, ka thënë Kelmendi për “Zërin”, duke konfirmuar se shuma e parave të grabitura është më shumë se 10 mijë euro.

Po ashtu edhe Policia më herët ka konfirmuar rastin.

“Sot rreth orës 09:00 kemi pranuar informatën për një rast grabitjeje, që ka ndodhur në rrugën ‘Nëna Terezë’ në Fushë-Kosovë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni specialistë për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin. Dyshohet se vepra është kryer prej dy personave të dyshuar, të cilët pasi kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash me shpejtësi me një veturë të dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

Shpërndaje në: