“Kemi mbet që 1 vit brenda si në burg”, vaksinimi ua kthen shpresën të moshuarve

Periskopi.com Lajme

Edhe këtë të diel ka vazhduar procesi i vaksinimit të të moshuarve mbi moshën 80 vjeçare. Në ditën e katërt të vaksinimit të personave mbi këtë moshë, deri në mesditë 100 të moshuar kanë marrë dozën “AstraZeneca” në qendrën e vaksinimit “1 Tetori”.

E të moshuarit që këtë të diel në një numër të konsiderueshëm pritnin në radhë për të marrë vaksinën, u shprehen për Kosovapress të kënaqur me shërbimet e ofruara nga stafi i këtushëm

Kamer Rukiqi ka fjalë të mira për atë çfarë pa këtu. Ai madje thotë se personeli u përkujdes mjaftueshëm për këtë kategori.

“Brenda është shumë e organizuar mirë, na kanë pritur mirë me fjalë të mira. Këta pleq e kanë një dëshirë, a po doni para, apo një fjalë të mirë e pritje të mira, ne themi jo nëse ki me më jep para mirë, por kryesore fjala edhe pritja e mira, këtu mirë na kanë pritë, na kanë ofruar shërbimin mirë”, thotë ai.

Edhe Tahir Azemi pas vaksinimit shprehet i gëzuar që arriti të imunizohet. Shpreson që tani e tutje do të jetë më i lirë për të dalë, ngase thotë tani e 1 vit është i mbyllur.

“Ma mirë nuk kam pa asnjë herë… Jam gëzua, unë moti i kam pritë, kemi mbet që 1 vit brenda si në burg pa e mbyt kërkon hiq, jam gëzua kur kanë thënë që po vijnë, jam gëzuar edhe kur e mora, ndoshta na ndihmojnë edhe na çlirojnë”, shprehet ai.

Edhe Nesmije Mehmeti po shprehet e befasuar me pritjen që i është bërë në Qendrën ne Vaksinimit këtu në “1 Tetor”.

Ajo shpreson se tani pas vaksinimit do të mund të dal për vizitë tek të afërmit e saj.

“Mrekulli diçka. Jam e befasuar shumë bukur ka shkuar procesi… Po unë nuk kam asnjë sëmundje pak tensionin e kam mirëpo mirë shumë…Unë nuk dal, i kam disa nipa që nuk guxoj me lëviz prej shtëpisë, 3-4 muaj unë nuk kam dal nga shtëpia hiq”, tha ajo.

Koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi, ka thënë se deri më tani ky proces po ecën mirë dhe se nuk ka asnjë ankesë.

“Sot kemi filluar me grup-moshën 80-84 vjeçare. Dhe deri më tani procesi i vaksinimit ka ecur mirë. Po ashtu edhe sot po ecën mirë me këtë kategori. Deri në këto çaste që ne po flasim kemi të vaksinuar 100 persona, ndërsa numri total i të vaksinuarve nga grup-moshat mbi 80 vjeç i kemi gjithsej 668 persona të vaksinuar”, tha ai.

Kujtojmë se procesi i vaksinimit të moshës së shtyrë ka filluar para katër ditësh dhe se do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Ndërsa nga drejtues të institucioneve shtetërore po kërkohet që të punojnë në sigurimin e vaksinave për imunizimin e popullatës, pasi gjendja pandemike vazhdon të mbetet ende e rëndë.

Shpërndaje në: