Kënga e re e Capital T është thjesht humbje kohe të dëgjohet

Periskopi.com Showbiz

Popullariteti i subzhanrit drill ka tunduar artistët e rrymave tjera të kërkojnë një pjesë të tortës, marrë parasysh valën e dëgjueshmërisë dhe audiencës që aktualisht e ka ky lloj i muzikës.

Capital T është bashkuar ‘valles’ me këngën që ka po të njëjtin emër, po vetëm sa për ta dëshmuar se qëndron larg gjërave që kanë të bëjnë me drill muzikën, shkruan Periskopi.

Me një ‘beat’ klishe në botën e skenës së hip-hopit prej ngritjes dhe rënies tragjike të Pop Smoke, Capital T mundohet të na mishërojë me atë ndjenjën bizare të ngazëllimit dhe shpërthimit që të jep drilli i vërtetë.

Mirëpo, krejt ajo që mund të ndjesh duke dëgjuar ‘valle’ është zhgënjim pas zhgënjimi, teksa vargjet nën mediokër mbeten në hijën e instrumentalit shpërthyes.

E vlerësojmë deri diku tentativën për të shtuar elemente folklorike në projekt, sidomos në ‘beat’ dhe pamjet e klipit, por kjo ishte e gjitha sa i përket pikave pozitive.

E drejtë të themi se gurmanët e drillit dhe hip-hopit të mirfilltë, të cilët gjejnë përfaqësim të madh në komunitetin muzikor, nuk duan të kenë asgjë të bëjnë më me këtë material pasi ta kenë dëgjuar e shikuar një herë.

As edhe një metafor e mençur, as edhe një rimë e menduar dhe shkruar mirë, thjesht kurrfarë ndjesie nuk të japin katër minutat e dy sekondat e kohës sa zgjatë ‘valle’.

Në fakt, entuziazmi i artistit dhe lëvizjet e tij para kamerës nuk përkojnë aspak me nivelin e ‘deliveryt’ dhe vargjeve që ofron, për zhgënjimin e dëgjuesve. Duket sikur ai do të jetë i vetmi që do ta ketë atë ndjenjë shpërthimi pas atyre rreshtave, të cilët ishin thjesht shkrim i keq.

Miks i disa fjalëve kot në një projekt, me të cilin do të ishim në rregull vetëm nëse do të ofrohej në formën e ‘freestye’ dhe atë ‘freestyle’ aty për aty, çka t’i jetë sjellur nëpër kokë artistit, përndryshe është thjesht e dobët.

Na vjen keq, Capo, kjo nuk është ajo plako. Madje, për hir të sinqeritetit, duhet të themi se asnjë nga projektet e tua të fundit nuk kanë qenë në element.

Përveç performancës te ‘Gjoni Black’, ku të paktën mundohesh të thuash diçka ‘slick’, asnjëherë nuk jemi demantuar nga projektet e tua, të cilat thjesht nuk kanë kurrfarë vlere ‘replay’. /Periskopi.com/

 

 

 

Shpërndaje në: