Kënga e re e Majk dhe Dafina Zeqirit, përveç që është vjedhur nga serbët është edhe tmerrësisht e keqe

Kënga e re e Majk dhe Dafina Zeqirit, përveç që është vjedhur nga serbët është edhe tmerrësisht e keqe

Sa herë fillojmë të krijojmë njëfarë bindje, ndoshta pak edhe subjektive, se diçka për të mirë ka ndryshuar në estradën tonë, dikush shkon e lanson një këngë të tillë si kjo e fundit nga Dafina Zeqiri dhe Majk.

Korrektësinë politike me një anë, projekti i fundit i kësaj dysheje është thjesht kot.

E shkruar me përtacëri dhe nonshalancë impresive, storia – natyrisht – është gjysmake dhe asnjëherë nuk duket se shpjegon, zhvillon e përçon mesazhin që pretendon ta përcjellë në audiencë, shkruan Periskopi.

Është thjesht tekst i keq, që mundohet të mbulohet me glamurin e figurave të famshme nga të cilët interpretohet. Dorën në zemër, është thjesht biznes i keq për të dy artistët.

Zonjusha Zeqiri duhet të reflektojë gjërë e gjatë në aspektin profesional, pasi meloditë si kjo ‘si, tiii, si tiii’, i ka përdorur edhe më herët dhe në momentin që bën një përsëritje të tillë në këngë, nënvizon teorinë se është harxhuar dhe ka mbetur pa ide të materialeve unike e inovative… diçka që e kishim parë tek albumi i saj i fundit i cili, pavarësisht se ishte në mënyrë brilante i interepretuar, pati vlera produksioni jashtëzakonisht të dobëta.

Sikur një përsëritje të mos mjaftonte, performanca e Majk poashtu nuk është asgjë tjetër veç një rikthimi i tij te ‘dashuria e vjetër’ e që janë zanoret e zgjatura, të cilat i kultivon me zell në secilën këngë sikur po e bën për herë të parë. Ai thjesht po bën zero tentativa për t’u zhvilluar si artist dhe për ta ngritur në një nivel tjetër ‘soundin’, duke rikrijuar këngët e njëjta vazhdimisht.

Përveç të gjitha këtyre dobësive, kjo këngë madje po del se është vjedhur nga dy këngëtarë serbë.

Oh Zot i madh… imagjinoni të vidhni një këngë dhe të dalë kaq keq. E rëndë, sidomos për dikë si Dafina Zeqiri, e cila gjithmonë është shikuar si artistja më unike në estradën kosovare, që dikton trende , ta ulë nivelin deri në këtë pikë sa të vjedhë një këngë të keqe, është thjesht përtej kornizave të të pranueshmes dhe na çon drejt shpjegimit të vetëm logjik se këngëtarëve tanë thjesht më nuk u intereson për asgjë tjetër veç mjeljes së audiencës me këngë pa shije, derisa rrota e kohës t’i shkelë e t’i lë në historinë e harruar, siç ka bërë me shumë artistë tjerë deri tash. /Periskopi.com/

Shpërndaje në: