Kërcënimi turk për luftëtarët e ISIS sfidë për Ballkanin

Hamdi Fırat Buyuk Op-Ed

Turqia thotë se “s’është hotel” për luftëtarët e ISIS-it nga Europa. Por shtetet e Ballkanit s’janë në gjendje të përballen me rikthimin e tyre.

Vendet në Ballkan po përballen me një sfidë të re që buron nga lufta në Siri – presioni turk për riatdhesimin e qindra luftëtarëve të Shtetit Islamik dhe familjeve të tyre.

Një mosmarrëveshje e re në marrëdhëniet e Turqisë me Europën, ekspertët thonë se procesi i rikthimit në shtëpi të luftëtarëve do të jetë një provë e madhe e shteteve të Ballkanit.

“Në përgjithësi, askush në botë nuk është i gatshëm të pranojë luftëtarë të huaj, sepse ky është një fenomen i ri ndërkombëtar”, tha analisti i pavarur i sigurisë me seli në Sarajevë, Safet Musiç. “Sigurisht, vendet e zhvilluara mund ta përballojnë këtë problem më lehtë sesa vendet e Ballkanit.”

“Mund të themi se ka ekspertë që mund të merren me këtë çështje. Legjislacioni është i rregulluar gjithashtu. Por nuk ka mjete për procesin e de-radikalizimit dhe nuk ka hapësirë ​​për strehimin e ish-anëtarëve të ISIS dhe familjeve të tyre.”

Burak Bilgehan Ozpek, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin TOBB të Ankarasë, tha se, ashtu si çështjen e refugjatëve sirianë dhe fuksin e tyre përmes Turqisë drejt Bashkimit Europian, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të përdorte luftëtarët e ISIS si mekanizëm për pranimin e heshtur perëndimor të politikave të tij ndaj Sirisë fqinje.

“Së bashku me kartën e refugjatëve, ish-luftëtarët e ISIS-it dhe familjet e tyre janë një tjetër mekanizëm i Erdgoanit në marrëdhëniet e tij me Perëndimin”, tha Ozpek për BIRN.

“Erdogan përpiqet t’u tregojë vendeve europiane që nuk e mbështetën operacionin ushtarak të Turqisë se Turqia është pjesë e sistemit europian të sigurisë në lidhje me këtë çështje.”

Ankaraja: Ne nuk jemi hotel për terroristët

Ndërhyrja ushtarake e Turqisë në Siri në tetor, pas tërhqjes së SHBA-së, ka injektuar pasiguri të reja në çështjen e luftëtarëve të ISIS dhe familjeve të tyre nga Europa. Turqia thotë se ajo po vepron kundër ‘terroristëve’, përfshirë ISIS-in.

“Ne nuk jemi një hotel për terroristët e asnjë vendi”, tha ministri i brendshëm turk Suleyman Soylu më 13 nëntor ndërsa Erdogan takoi presidentin e SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. “BE-ja dhe të tjerët nuk kanë një politikë për ta, por ne kemi dhe ne do ta zbatojmë atë.”

Takimi Erdogan-Trump solli ndonjë rrugë të qartë përpara.

Nuk dihet saktësisht se sa luftëtarë të ISIS-it dhe familjarë të tyre janë me origjinë nga Ballkani, por shumica vijnë nga Kosova, Bosnja, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa një numër më i vogël janë qytetarë të Malit të Zi dhe Serbisë.

Kosova dhe Bosnja kanë pranuar disa nga shtetasit e tyre që luftuan në Siri dhe po përgatiten të presin të tjerë.

“Sigurisht, ish-anëtarët e ISIS përbëjnë një kërcënim për sigurinë në vendet e tyre të lindje, por nëse ata ndiqen penalisht dhe i nënshtrohen një programi de-radikalizmi dhe mbikëqyren nga agjencitë e sigurisë, ky kërcënim do të zvogëlohet në mënyrë të konsiderueshme”, tha Musiç për BIRN.

Ndërsa shtetet do të ndërmerrnin domosdoshmërish një përqasje më dashamirëse ndaj grave dhe fëmijëve, tha ai, “është e e nevojshme të përcaktohet se cilat nga gratë morën pjesë në ndonjë prej formacioneve të ISIS dhe nëse ato kishin detyra luftarake dhe duhet të përpunoheshin.”</p>

Zv/ministri i sigurisë i Bosnjës, Mijo Kresiç, tha më 13 nëntor se Bosnja do të pranonte çdo luftëtar të rikthyer nga fushat e betejës në Siri dhe Irak që kanë nënshtetësi boshnjake dhe se ata do të trajtoheshin sipas ligjit.

Sa i takon Kosovës, ministri i brendshëm Ekrem Mustafa tha për Radio Europa e Lirë këtë muaj se Prishtina ishte në bisedime me Ankaranë për përgatitjet për rikthimin e 100 shtetasve të tjerë të Kosovës nga Siria, pas 110 të riatdhesuarve në prill, përfshirë një numër ish-luftëtarësh.

Duke pranuar se procesi ishte “i rrezikshëm”, Fatos Makolli, Koordinatori Kombëtar i Kosovës Kundër Ekstremizmit, tha për Deutsche Ëelle më 10 nëntor: “Ne mund ta kontrollojmë këtë rrezik, sepse i njohim njerëzit. Gjykojmë ata që janë fajtroë dhe përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë për integrimin e të tjerëve në komunitet.”

Musiç tha për BIRN: “Kjo çështje nuk duhet të politizohet; çështja duhet të lihet në dorë të ekspertëve.”

Ozpek tha se BE-ja duhet të kujdeset për të ndihmuar shtetet e Ballkanit.

“Ballkani është pjesë e sistemit europian të sigurisë. Paqja dhe siguria në Ballkan janë një shqetësim i Europës”, tha ai. “Nëse Europa dëshiron të jetë e sigurt, ajo duhet të mbështesë sigurinë e Ballkanit.”

Megjithatë, Musiç ishte skeptik për çdo zgjidhje ndërkombëtare të koordinuar në lidhje me këtë çështje.

“Siç janë punët tani, këto gjëra në përgjithësi do të ndodhin përmes aktiviteteve bilaterale ose ndërshtetërore”, tha ai. “Turqia duhet të tregojë më shumë durim para se të vendosë për lëvizje të njëanshme, edhe pse situata në Turqi është jashtëzakonisht e ndërlikuar.’

Strategji e rrezikshme

Turqia besohet se mban rreth 1,200 ish-luftëtarë të ISIS, ndërsa forcat kurde në Siri ende kontrollojnë më shumë se 10,000 ish-luftëtarë dhe të afërmit e tyre.

Por Ozpek tha: “Ne ende nuk e dimë numrin e vërtetë të luftëtarëve të ISIS-it dhe familjarëve të tyre nëpër burgje dhe kampe

Nuk dihet se sa janë arratisur kur forcat kurde u tërhoqën përballë avancimit të forcave turke, një operacion që Ankaraja tha se synonte krijimin e një zone neutrale dhe të lehtësonte barrën e refugjatëve në Turqi. BE-ja e ka dënuar operacionin. Vendet Perëndimore nuk e mbështetën operacionin e Turqisë në Siri dhe Turqia u pranua si përgjegjëse për të burgosurit e arratisur të ISIS”, tha Ozpek.

Për këtë arsye, Erdogan tani dëshiron të jetë ai që mbron botën nga luftëtarët e ISIS. Ai dëshiron të përshkallëzojë krizën për negociata dhe pastaj do të përpiqet të zgjidhë problemin.”

Turqia aktualisht ka më shumë se pesë milionë refugjatë, katër milionë prej të cilëve sirianë

Ozpek tha se strategjia e Erdoganit mbartte një rrezik të madh. “Nëse këto negociata janë të suksesshme, Turqia do të jetë ajo që i garanton siguri Europës, por nëse ato dështojnë, do të jetë pikërisht Turqia ajo që do të dëmtojë sigurinë europiane

Shpërndaje në: