Kërkohet heqja e orës policore, autoritetet ende s’e kanë diskutuar

Periskopi.com Lajme

Numrat kanë rënë dukshëm. Por, masat vazhdojnë të jenë të njëjta. Madje, ora policore ende është në fuqi, ani pse në 48 orët e fundit janë regjistruar vetëm 45 raste të reja e tre viktima. Kur themi “vetëm” nënkuptojmë uljen drastike në krahasim me javët më parë, kur thyheshin rekordet negative, me mbi 2000 raste në ditë.

Akterët kryesorë të institucioneve, infektivës e asociacionit të komunave, si dhe përfaqësuesi i gastronomisë, kanë folur për GazetaBlic, ku kanë dhënë idetë e tyre respektive lidhur me heqjen e orës policore, ani pse kryefjala e lartëcekur ende s’është diskutuar mes organeve relevante.

Në një prononcim për portalin, infektologu dhe ushtruesi i detyrës së Klinikës Infektive, Arben Vishaj, ka shpalosur raportin e datës 4 Tetor 2021, ndërsa ka kërkuar që të respektohen të gjitha masat e rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, pasi ajo është e vetmja formë që nuk lejon përkeqësimin e situatës.

“36 pacientë janë të shtruar në Klinikën Infektive, prej tyre 14 të vaksinuar, 11 nga ta me njërën dozë, e tre të tjerë me të dyja dozat, 34 në oksigjeno-terapi dhe 12 në intenzivë”.

Ndërsa sa i përket masave, të gjitha rekomandimet që ofron Instituti Kombëtar i Shendetit Publik duhet të respektohen nga qytetarët e vendit tonë. Çdo herë duhet të jemi të gatshëm për zbatimin e masave që rekomandohen nga IKSHPK, sepse kjo është forma e vetme që situata mos të përkeqësohet”, përfundoi ai për GazetaBlic.

Në anën tjetër, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se procesi i vaksinimit është duke shkuar shumë mirë dhe se ajo që është shumë e rëndësishme, përkundër fillimit të shkollave, rastet kanë rënë dukshëm, që është lajm i mirë, pasi e dimë se varianti Delta përhapet shumë edhe te fëmijët.

“Procesi i vaksinimit është duke shkuar mirë, jemi duke e përcjellur situatën nëpër komuna sesi është duke shkuar puna në shkolla. Pra jemi në javën e dytë prej fillimit të shkollave, po shikojmë nëse do të ketë apo jo rritje të rasteve, për çka kuptohet shpresojmë që të mos ketë, po gjatë kësaj kohe do të mundohemi që ta mbajmë edhe një takim me nivelin qendror. Edhe pse është kohë fushatë, vëmendja nga situata me Covid-19 nuk duhet të largohet asesi. Fatmirësisht numrat janë duke rënë, edhe të atyre të infektuar e edhe me fatalitet, po besoj që me monitorimin e situatës do ta kemi edhe një takim”, tha fillimisht ai.

Ndërkaq, në atë se a kanë pasur kërkesë nga ana e krerëve komunalë për heqje të orës policore, Ibrahimi e mohoi, porse shtoi faktin që aktualisht jemi në kohë zgjedhore dhe se të njëjtit janë të angazhuar maksimalisht në fushatë.

A ka kërkesa prej kryetarëve të komunave për heqjen e orës policore?

“Jo, të them sinqerisht nuk e kemi diskutuar. Të gjithë kryetarët kanë angazhime në fushatë, por nuk e kemi diskutu çështjen e heqjes së orës policore, por e kemi diskutuar çështjen e mundësisë së krijimit të ekipeve mobile për vaksinim të popullatës. Do të thotë, synimi është që mos të ketë vëmendje të vaksinimit vetëm në një qendër, por të krijohen më shumë ekipe, të dalin në teren, nëpër fshatra, nëpër lagje të ndryshme. Fatmirësisht, ajo që është shumë me rëndësi, me nisjen e shkollës, nuk ka rritje të numrave, pra kjo është shumë me rëndësi. Gjatë javës besoj se do të kontaktojmë me ministren e re, znj. Gexha, por ajo që është e rëndësishme, po e përsëris, nuk ka rritje të rasteve në shkolla”, tha Ibrahimi.

Në fund, foli edhe sekretari i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica, i cili tha se sipas tyre, duke analizuar situatën epidemiologjike, nuk ka arsye që të ketë kufizime. Ai kërkon që të punohet sipas rregullore komunale në fuqi, teksa shtoi se gastronomia është industria që prinë sa i përket dëmeve nga pandemia dhe masat e qeverisë.

“Po mendoj se duhet të ketë masa të reja, sepse siç edhe po shihet, gjendja epidemiologjike dhe procesi i vaksinimit janë duke shkuar shumë mirë ,andaj s’ka arsye që ta kufizojmë orarin e lëvizjes. Sipas nesh, ora policore duhet të hiqet, pasi e konsiderojmë të panevojshme. Në bazë të hulumtimeve shkencore, qëndrimi i më shumë se një jave i masës, nuk jep efekt më të madh të rënies së rasteve. Ne mendojmë se duhet me funksionu pa kufizim, pra siç e përcaktojnë rregulloret komunale. Sepse, siç shihet nuk mund të ketë përshkallëzim të situatës epidemiologjike, andaj duke marrë parasysh edhe faktin se jo të gjitha bizneset gastronomike kanë qenë përfituese të masave të Qeverisë, e kur kësaj ia shtojmë se gastronomia është industria që prinë sa i përket dëmeve, mendoj se duhet të punojmë ashtu siç e ceka edhe më lartë, pra pa orar”, tha mes tjerash Vranica.