Kërkohet heqja e orës policore gjatë festave të fundvitit

Kërkohet heqja e orës policore gjatë festave të fundvitit

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar që disa nga masat e ndërmarra nga Qeveria për respektim të masave kundër COVID-19 të largohen.

Sazan Ibrahimi, drejtor i AKK-së tha se përkrahin masat kundërCOVID-19, por kërkon heqjen e orës policore gjatë festave të fundvitit.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës, së bashku drejtorët komunalë i kanë përkrahur dhe do t’i përkrahin të gjitha masat që kanë dhënë rezultat dhe japin rezultat, sa i përket parandalimit të përhapjes së COVID-19, por në disa raste Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga niveli qendror që masat, të cilat po i ndërmerr. Kemi edhe argumente shkencore, siç është çështja e orës policore dhe bartja e maskës për personat të cilët lëvizin vetëm në ambient të jashtëm apo për personat që janë të imunizuar”, tha Ibrahimi.

Kreu i Asociacionit të Komunave të Kosovës konsideron se tashmë në prag të festave të fundvitit duhet të largohet ora policore.

“Gjithashtu gjatë festave të fundvitit masa e orës policore të largohet në tërësi, por kërkojmë edhe nga diaspora që besojmë se do të vijë në masë të jashtëzakonshme, që të vijnë të vaksinuar, në mënyrë që edhe ne të kemi një fundvit të suksesshëm dhe ta festojmë në mënyrë të dinjitetshme. Besojmë që vetëdija e qytetarit në Kosovë, por edhe jashtë saj, është në nivel të tillë që të vaksinohen apo të imunizohen, sepse po shihet që vetëm vaksinimi apo imunizimi është arma e vetme që po lufton parandalimin e përhapjes së COVID-19”, tha ai për kp.

Gjatë ditës së sotme kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi kanë treguar për masat e reja antiCOVID që do të hyjnë në fuqi nga dita e nesërme, ku në mesin e tyre vazhdon të mbetet në fuqi ora policore.

Shpërndaje në: