Kërkohet paraburgim ndaj tre personave lidhur me rastin “Brezovica”

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Ferizaj, ndaj të pandehurve B.H., A.Ç. dhe I.A., të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimin 48 orësh.

Kjo kërkesë ka të bëjë me të pandehurit e përfshirë në rastin “Brezovica”, për të cilët ekziston dyshimi se të njëjtit kanë keqpërdorur pozitën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe persona të tjerë.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri A.Ç., si person zyrtar-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe persona tjerë, me këtë do të kryente veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 të KPRK-së. I njëjti sipas Prokurorisë ka pranuar para me qëllim që të veproj në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 par.2 lidhur me nen 31 të KPRK-ës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Ndërsa, për të pandehurin tjetër B.H., thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti si person zyrtar- kryeinspektor i Inspektoratit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, tani MEA, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe persona tjerë, me këtë do të kryente veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”.

Kurse, për të pandehurin e tretë, I.A., ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti, i ka dhënë para personit zyrtar që të veproj në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, me këtë do të kryente veprën penale penale “Dhënia e ryshfetit” dhe veprë​n penale “Ushtrimi i ndikimit”.