Kërkohet riintegrimi i luftëtarëve të kthyer nga ISIS-i

Kërkohet riintegrimi i luftëtarëve të kthyer nga ISIS-i

Përmes këtij raporti QKSS  ka për qëllim të sjellë një program alternativ për rehabilitimin dhe ri-integrimin e personave të radikalizuar.

Sikurse në shumë shtete të botës edhe Kosova është duke u ballafaquar me fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm.

“Sfidë të veçantë paraqesin luftëtarët e huaj të rikthyer në Kosovë, si dhe individët të cilët nuk kanë marrë pjesë në luftërat e huaja, por që konsiderohen si të afektuar me këtë fenomen. Si përgjigje ndaj këtij fenomeni, ky raport ngërthen në vete programe rehabilitimi dhe risocializimi për këto kategori individësh të cilët duhet t’iu  nënshtrohen para rikthimit të tyre në shoqëri”, thuhet në një komunikatë nga QKSS.

Meqë Kosova nuk ka përvojë me trajtimin e luftëtarëve të huaj të kthyer, sidomos me programet që synojnë rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të radikalizuar, ky dokument përshtat disa modele dhe përvoja që i kanë përvetësuar disa shtete.

Raporti i QKSS-së analizon modelet e tri rasteve të studiuara: Gjermanisë, Danimarkës dhe Arabisë Saudite.

“Duke analizuar modele të tilla, QKSS ofron një program alternativ të ndarë në tri faza: fazën rehabilituese, risocializuese si dhe atë të pas lirimit”, thuhet në komunikatë.

Ky raport thekson faktin se, ndonëse diçka e re për Kosovën, riintegrimi i ish-luftëtarëve të huaj dhe individëve te tjerë të radikalizuar paraqet sfidë që duhet adresuar si duhet nga shërbimet e saj korrektuese dhe akterët e tjerë relevantë.

“Programi i rehabilitimit për luftëtarët e huaj të  kthyer duhet të synohet shumë më qartë nga politikat. Në trajtimin e kësaj çështjeje, kur është fjala që Kosova ta zhvillojë programin e vet të rehabilitimit dhe të riintegrimit, propozohet se mund të përdoret një përzierje më e larmishme e masave të forta dhe të buta”,  thuhet në këtë raport.

Si i tillë, ky raport ka përpiluar masa efektive për institucionet e Kosovës nga strategjitë e ndryshme kombëtare me shpresën që të merren parasysh këto masa dhe të sigurohet implementim më i mirë i mundshëm brenda modelit kosovar.

Shpërndaje në: