Kërkohet rritje e numrit të pikëkalimeve kufitare për kosovarët
Hysen Krasniqi, nga Ferizaj nuk kishte mundur që të kalojë kufirin nga Mali i Zi në drejtim të Serbisë, pasi që Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, nuk vlen edhe për pikë-kalimet e Serbisë me Malin e Zi.
Ai ka thënë për RTKlive, se nuk e ka ditur që kjo Marrëveshje nuk vlen edhe për pikat kufitare me Malin e Zi.
“Kalova kilometra rrugë dhe u ktheva. Autoritetet kufitare serbe më thanë se nuk vlen marrëveshja për këtë pikë kufitare me Serbinë”, ka thënë ai.
Kurse Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i ministres për Dialog, Edita Tahiri dhe koordinator i Lëvizjes së Lirë, ka bërë me dije se Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë e arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në vitin 2011 vlen për të gjitha gjashtë pikë-kalimet kufitare në mes të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, si dhe pikë-kalimet e Serbisë me vendet tjera: Aeroportin e Beogradit, Aeroportin e Nishit, Batrovci (Pikë-kalim në mes të Serbisë dhe Kroacisë), Shid-Tovarnik (Pikë-kalim në mes të Serbisë dhe Kroacisë), Horgosh-Roszke (Pikë-kalim në mes të Serbisë dhe Hungarisë), Kelebia-Tompa (Pikë-kalim në mes të Serbisë dhe Hungarisë), Preshevë-Tabanovc (Pikë-kalim në mes të Serbisë dhe Maqedonisë) dhe Gradina-Kalotina (Pikë-kalim në mes të Serbisë dhe Bullgarisë).
Sipas tij, pikë-kalimet e lartpërmendura janë kërkuar ngase frekuentohen më shumë nga qytetarët, bizneset dhe diaspora e Kosovës.
“Në takimet e radhës për Lëvizjen e Lirë, pala jonë do të kërkojë që të mundësohet zbatimi i kësaj marrëveshje edhe për një pikë-kalim në mes të Malit të zi dhe Serbisë, si dhe një pikëkalimi kufitar në mes të Rumanisë dhe Serbisë”, ka thënë Zeka.



