“Kërkon kohë, por Serbia do ta njohë Kosovën”
Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve ka thënë për “Indeksonline” se kërkon kohë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Prishtinës e Beogradit.
“Arritja e një marrëveshjeje përfundimtare do të marrë kohë. Së pari duhet biseduar dhe zgjidhur çështje të tjera të rëndësishme, siç janë dëmet e luftës, të pagjeturit, kthimi i fondeve pensionale etj”, është shprehur ai.
Mushkolaj ka thënë se Serbia do të duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por që analisti nuk pret që kjo të ndodhë së shpejti. Sipas tij, Kosova duhet të kërkojë të jetë e barabartë si shtet.
“Serbia do të detyrohet të pranojë në njëfarë forme pavarësinë e Kosovës, edhe pse nuk besoj se kjo do të rregullohet ende me ndonjë akt. Por, kjo kërkon kohë. Deri atëherë, pala kosovare duhet të kërkojë trajtim të barabartë, si shtet, në raport me Serbinë. Vetëm atëherë mund të flitet për dialog dhe qasje të barabartë”, ka thënë ai për “Indeksonline”.
Ndryshe, partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë shprehur kundër vazhdimit të dialogut me Serbinë. Kjo, për shkak të veprimeve të fundit nga pala serbe, siç ishin ngritja e murit në Veri të Mitrovicës, flet-arresti për liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn dhe nisja e trenit serb nga Beogradi në Mitrovicë.
Kujtojmë se për murin, më 29 dhjetor të vitit 2016 ishte miratuar një Rezolutë në Kuvendin e Kosovës ku kërkohej rrënimi i tij deri më 31 janar 2017, gjë që nuk ka ndodhur. Kurse, Ramush Haradinaj aktualisht është duke qëndruar në Francë qysh nga arrestimi i tij më 4 janar në bazë të flet-arrestit të lëshuar nga Serbia që nga viti 2004 nën akuzat për krime lufte.



