Kesh për gati secilin litër të ujit që kalon në lum

Kesh për gati secilin litër të ujit që kalon në lum

Puna e hidrocentraleve të “investitoirëve” është kështu: Kompania e huaj merr në shfrytëzim resursin ujor të popullit të Kosovës falas. Ajo pastaj angazhon nje kompani ndërtimore që të prejë drunjët përskaj lumit dhe aty të hapë kanale të thella. Aty i vendose disa gypa dhe gjeneratorë. Pas gjashtë shtatë muajsh pune, kompania ndërtuese largohet dhe fillon largimi i ujit nga shtrati i lumit dhe fitimi për kompaninë e huaj.

Tash kompania që ka marrë resursin ujorë të vendit falas fillon, që këtë ujë ta largojë nga shtarti i vet dhe ta fus në gypa në mënyrë që të gjenerojë energji duke i sjellur gjeneratorët e instaluar në gypa. Për secilin litër të ujit që kalon në gyp kompania merr para dy herë nga qytetarët e Kosovës. Një herë merr kur na e shet energjinë elektrike heren tjetër mer para nga buxheti i Kosovës si subvencion.

Kush paguan

Sa më shumë ujë kalon nëpër gypa aq më shumë para për kompaninë e huaj e më pak para për buxhetin e Kosovës e më pak ujë në ambijent natyrorë. Pra më pak para për fëmijët në shkolla, për spitalet, për zhvillim ekonomik, sport, kulturë shëndetsi, etj. Kompania nuk e merr vetëm resursin ujorë falas por me te i merr edhe disa miliona nga taksat tona. Sa pare merr kjo kompani nga buxheti caktohet nga Zyrja e Regullatorit të Energjisë. Sipas një analisti të punësuar aty. Ai analist vendosë se sa do të jetë çmimi, e me këtë sa para nga buxheti i Kosovës i shkojnë kompanisë private.

Momentalisht për hido gjenerim megavati paguhet 67 euro. Diku 20 deri 30 euro për Megavat paguhen nga paratë të cilat shteti i Kosovës ja mer qytetarëve nëpërmes taksave. Në Lumbardh kapaciteti i hidrocentralit është paraparë të jetë 60 MW, në kapacitet të plotë kompania e huaj do të merr 1300 euro për secilen orë të operimit. Kjo i bjen 30 mijë euro në ditë, apo 11 milionë në vjet. Kjo vetëm si subvencion nga taksat e qytetarëve. Nga shitja kompania do të merr edhe rreth 22 milionë euro të tjera. Kompania e ka të siguruar resursin pa pare, çmimin dhe shitjen. Pra se herë bleni diçka një pjesë e pagesës që e bëni i shkon kompanisë e cila e ka futur lumin në gypa tshmë në Deçan dhe Kaçanik. Këto para mund të shkojnë edhe si subvencione te familjet Kosovare që të përmirësojnë izolimin dhe të kursejnë energjinë dhe kështu të evitohet ndotja, pa e prishur lumin. Në fund të fundit është më mirë që taksat t’i kthehen atyre që i paguajnë e jo atyre që shkatërrojnë.

Pyetje: A e keni parë ndonjëherë ndonjë kompani të energjisë duke sponzoruar ndonjë sportist apo muzikant? unë jo! Konsideroj se këto kompani janë lakmiqare deri në fund dhe nuk kthejnë asgjë në komunitet.

Partitë Politike

Partitë Politikë në shumicë kanë dalë kundër projektit sidomos pas reagimit në publik. Mendim të ngjashëm kanë dhënë edhe shumë nga ministrat e Qeverisë së Kosovës të cilët janë shprehur kundër në takime me shoqërinë civile. Mirëpo edhe qëndrimet edhe deklaratat kanë ndryshuar dhe niveli prej të cilit janë dhënë këto deklarata konsideroj se nuk është i mirë. Reagimet kane qenë në nivel lokal dhe jo në nivel kosovar. Në Pejë me AAK me LDK me PDK dhe të gjithë të tjerët janë unanim “Jo lumit në gyp”, këtë edhe e kanë votuar. Si kryetar i partisë nuk ka reaguar asnjëri, përveç kryeministrit.

Kryeministri

Kryeministri i Kosovës partia e të cilit ka mbajtur pushtetin në komunën më të prekur në Kosovë me hidrocentrale ka reaguar në lidhje me projektin dhe protestën. Ai ka kërkuar stopimin e procedurës “deri në krijimin e një pasqyre të qartë dhe të gjithanshme për shkallën e impaktit të këtij projekti në mjedis”. Një reagim që është më i butë se ai i zyrtarit të lartë të kësaj partie Fatmir Gashi i cili ka thënë se ai “as që ka nënshkruar dhe as që do të nënshkruaj gjëra të tilla ndonjëherë” duke ju referuar projektit në Lumbardh të Pejës. Edhe deklarat e degës së partisë së kryeministrit në Pejë reagimi ishte më i butë. Dega kërkoi dhe e votoi ndaljen e plotë ndryshe nga kryeministri.

Një gjë tjetër që është për tu cekur sa i përket marrëdhënies së kryeministrit me këtë projekt dhe protestën është fakti se kryeministri ka zgjedhur që të takojë persona nga Rugova në kohën e njejtë kur përfaqësuesi i zgjedhur i bashkësisë lokale të Rugovës organizonte protestë. Kryeministri kishte thirrë edhe pjestarë të shoqërisë civile që t’i bashkangjiten këtij takimi duke hequr njerëz nga protesta. Disa kanë refuzuar dhe kanë dalë në protestë.

Pjesa e rëndësishme

Në pjesën e zhvilluar të botës ka filluar rivlerësimi i hidrocentraleve dhe ndikimit të tyre në jetën e njerëzve dhe habitateve. Në Slloveni tashmë ministri i ambijentit ka anuluar gjashtë hidrocentrale në lumin Mura licenca për të cilët tashmë ishte dhënë. Këtë vendim e kanë përkrahur 100 shkenctarë nga shumë vende evropiane duke përfshi edhe ata austriak, zvicerian dhe gjermanë. Në letrën e tyre thuhet “Gjatë dy dekadave të fundit vlera e sistemeve të lumenjëve dhe shtretërve të tyre për të miren njerëzore është identifukuar qartë: Lumenjët natyrorë ofrojnë një sërë shërbimesh për ekosisteme, siç është pastrimi i ujërave, mbushja e rezervareve nëntokësorë për ujë të pijes dhe bujqësi, mbrojtja e biodiversitetit natyror dhe mundësi unike për zhvillim të rekreacioneve dhe turizmit”.

Pra ndikimi i hidrocentraleve është i madh në habitatin natyrorë dhe biodiverzitet mirëpo kjo tejkalohet me ndikimin në rezervat e ujit të pishem dhe ndryshimin e mikroklimës. Duket dhe sa i përket ambijentit hidrocentralet e vogla janë më të dëmshëm se sa vet prodhimi me thëngjill. Në Deçan shumë banorë janë ankuar se pas ndërtimit të hidrove atje bunarët e tyre janë shterrur ankesa te cilat nuk juanë marrë parasyshë nga askush. Në lumbardhin e Pejes ky ndikim do të jetë edhe më i madh, dhe për llogari të një “investitori” të huaj përveç zhvillimit ekonomik do të humbasim edhe ujin e pijes, biodiversitetin dhe mundësinë e zhvillimit të mëtutjeshëm të turizmit.

Përmbledhje

Protesta në Pejë rreth vetit ka mbledhë shumë njerëz e edhe më shumë pjestarë të shoqërisë civile. Ka mobilizuar njerëz të mirë dhe e ka bërë këtë çështje të vlefshme për voten e tyre. Çështja ka mobilizuar organizatën me renome ndërkombtare WWF dhe tash do të bëhet një këshill kombëtar për hidro që do të përfshijë një grup lobimi për tërë Kosovën. Protesta e ardhme do të jetë në Prishtinë, shpresojmë të jetë shumë më e madhe.

P.S Grushti i mbledhur nuk është simbol komunist por simbol i bashkimit.

Autori ka rënë në dashuri me lumin në moshën 9 vjeçare dhe ndjenjat e tij nuk kanë ndryshuar.

Shpërndaje në: