Këshilli Prokurorial i del në mbrojtje prokurores në rastin e Limajt

Këshilli Prokurorial i del në mbrojtje prokurores në rastin e Limajt

“Këshilli Prokurorial i Kosovës po i përcjell me vëmendje reagimet dhe komentet politike pas ngritjes së aktakuzës kundër Fatmir Limajt për krime lufte”, thuhet në komunikatën e KPK-së.

Lidhur me këtë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka gjetur të arsyeshme që të informojë publikun që këto reagime janë të papranueshme dhe jashtëzakonisht të dëmshme për sundimin e ligjit në vend, në kohën kur prokurorë vendorë kanë marrë mbi vete kompetenca të plota për t’i trajtuar krimet e luftës, thuhet më tej në komunikatë, shkruan Telegrafi.

“Duam të theksojmë se aktakuza në këtë rast, si edhe në çdo rast tjetër, nuk është veprim privat i prokurorit të rastit, por rezultat i vlerësimit profesional të prokurorëve në bazë të kompetencave dhe autorizimeve të tyre ligjore”, shton komunikata e Këshillit Prokurorial.

KPK konsideron se sulmet dhe propagandat politike kundër prokurores së rastit Limaj dhe sulme të tilla të ngjashme ndaj prokurorëve të tjerë nuk paraqesin vetëm ndërhyrje në parimin fundamental të pavarësisë së sistemit prokurorial por njëkohësisht edhe shkelje ligjore. “Andaj, sulme të tilla do të konsiderohen sulme ndaj sistemit prokurorial dhe KPK do të reagoj në mbrojtjen e tyre”, përfundon komunikata.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur më 28 tetor aktakuzë kundër Fatmir Limajt për krime lufte.

Sipas PSRK-së, rasti ka të bëjë me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998.

Shpërndaje në: