Këshilli Prokurorial: Vetëvendosje po përdorë gjuhë kërcënuese

Këshilli Prokurorial: Vetëvendosje po përdorë gjuhë kërcënuese

Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes një deklarate për media, ka shprehur indinjatën e thellë për, sipas tyre, gjuhën denigruese, propaganduese, ofenduese dhe kërcënuese të subjektit politik Vetëvendosje.

Dje dhe sot, kjo parti ka paralajmëruar për të premten një protestë kundër kryeprokurorit të shtetit të quajtur “Lepur ik, duam Republikë” e duke e akuzuar Lumezin se nuk po e kryen punën e tij dhe merr 7 rroga.

Sipas KPK-së, fjalori i VV-së ka marrë përmasa tendencioze dhe synon cenimin e integritetit, pavarësisë dhe dëmtimin e imazhit të sistemit prokurorial.

“Këshilli u bën thirrje publike të gjithë faktorëve, në veçanti, subjekteve politike që të evitojnë përhapjen e një gjuhe të tillë, që përbën ndërhyrje dhe presion të drejtpërdrejtë, si dhe bie në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

KPK-ja thekson se keqpërdorimi i fjalës së lirë është dhe mbetet kryekëput jashtë të drejtës demokratike në vend, ngaqë menaxhimi dhe kontrolli institucional ndaj Prokurorit të Shtetit është e drejtë e patjetërsueshme e Këshillit.

“Me këtë rast bëjmë me dije se nuk ndikohemi nga qarqet politike dhe grupet e interesit, sepse pushteti gjyqësor, në kuadër të të cilit funksionojmë, është pushtet i veçantë dhe se Prokurori i Shtetit është institucion unik, i pavarur dhe i paanshëm”, vijon deklarata.

Në deklaratë thuhet se Këshilli Prokurorial është i përkushtuar me të gjithë mekanizmat e tij që të punojë, mbrojë dhe avancojë çdo vlerë të integritetit, dinjitetit dhe transparencës publike, si dhe të luftojë çdo tendencë për presion dhe ndërhyrje nga ana e kujtdoqoftë.

Andaj, KPK-ja bën thirrje që Prokurori i Shtetit, puna dhe misioni i tij, të jenë jashtë çdo agjende të politikës ditore, sepse vlerësimi i punës së prokurorëve bëhet vetëm e vetëm nga Këshilli Prokurorial dhe mekanizmat e tij, e nuk varet nga vullneti i individëve, subjekteve dhe grupeve të caktuara.

 

Shpërndaje në: