Këshilltari i kryeministrit kur s’ka ftesë nga SHBA’ja fajëson Hotin – kur ka, lavdëron Kurtin

Këshilltari i kryeministrit kur s’ka ftesë nga SHBA’ja fajëson Hotin – kur ka, lavdëron Kurtin

Për një javë, Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, ka dhënë dy qëndrime të ndryshme për çështjen e ftesës së Kosovës për Samitin për Demokraci nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Teksa fajet ia vinte ish-Qeverisë Hoti për mosftesë, ai meritat po ia jep Qeverisë Kurti tash kur u konfirmua ftesa.

Të premten, KOHA ka mësuar në burime nga Washingtoni se Kosova do të ftohet në Samitin e dhjetorit. Për ftesën është informuar edhe presidentja Vjosa Osmani, pas takimeve që pati me përfaqësues të institucioneve amerikane.

“Edhe ftesë për Samit, edhe foto me Kamala Harris, edhe administrimin e 1.6 milionë dozave me vaksina, edhe shtesat për lehona e fëmijë, edhe rritje ekonomike 9.9%, edhe edukim falas…? Jooo, kjo nuk është fer kryeministër. Diçka nuk duhet të shkojë mirë sepse diku duhet të të kritikojmë”, ka shkruar Zulfaj në një postim të premten në mbrëmje, pas raportimeve për ftesën e Kosovës nga SHBA-ja.

Por krejt tjetër qëndrim pati ai fiks një javë më herët, kur u raportua se Kosova s’do të ftohet. Ai fajin ia hidhte ish-Qeverisë Hoti dhe mënyrës së ardhjes së saj në pushtet.

“Nuk është aspak befasi përse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci të thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që radhitet më së ulëti në ‘Nations in Transit’ nga Freedom House me 3.14 nga 7 pikë ose 36% nga 100%. Freedom House vlerëson se këtë vit rezultati i demokracisë shënoi rënie për Kosovën për shkak të instalimit jokushtetues të qeverisë Hoti në Qershorin e vitit 2020. Pra, ashtu sikurse Raporti i Progresit edhe ky i Freedom House e të tjerë që u publikuan janë të bazuar kryesisht në vitin e kaluar”, pati deklaruar ai duke shtuar se “Kosova dhe qytetarët e saj s’kanë asnjë arsye për t’u hidhëruar por as për t’u dëshpëruar pasi rezultatet e ndryshimeve të mëdha demokratike që ata sollën këtë vit do t’i shohim të reflektuara në raportet ndërkombëtare në vitin që vjen, ashtu siç do të shohim progres të gjithmbarshëm”.

Në fotografinë e publikuar nga Zulfaj shihej se rënia e pikëve për demokracinë në Kosovë ka ardhur për shkak të formimit jokushtetues të Qeverisë Hoti në qershor të 2020-s. E kjo Qeveri qe rrëzuar nga Kushtetuesja për shkak të votës nga një deputet i cili ka pasur dënim nga gjykatat dhe s’ka pasur të drejtë të ishte në Kuvend.

Disa ditë më herët, mediumi amerikan “Politico” publikoi një listë prej 100 shtetesh që janë ftuar nga Bideni për Samitin e dhjetorit. Aty nuk figuronin Kosova, Serbia dhe Bosnja nga Ballkani dhe kjo nxiti reagime të opozitës dhe shoqërisë civile. Ambasada amerikane në Kosovë, pas raportimeve për mosftesë të Kosovës, u deklarua se në Samit nuk mund të akomodohen të gjithë partnerët.

Shpërndaje në: