Kështu argumentonte Veton Surroi pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhjet serbe (Shkrimi i plotë, botuar më 1993)  

Kështu argumentonte Veton Surroi pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhjet serbe (Shkrimi i plotë, botuar më 1993)  

Në dhjetor të vitit 1993 në Serbi mbaheshin zgjedhjet parlamentare. Njëra ndër çështjet e asaj kohe ishte se si do të silleshin shqiptarët në këto zgjedhje – do të dilnin në to, apo do t’i bojkotonin. Kjo dilemë më shumë ishte preokupim i politikës serbe, se sa klasës politike shqiptare të asaj kohe që drejtohej nga LDK’ja dhe lideri i saj, Ibrahim Rugova.

Kosova ndodhej në një regjim aparthejdi nga shteti fashist serb, dhe liderët shqiptarë as që e diskutonin pjesëmarrjen eventuale në këto zgjedhje. Dy vite pas Referendumit për Pavarësi dhe zgjedhjeve parlamentare, çfarëdo ofertë që vinte për t’u bërë pjese e sistemit të Serbisë refuzohej kategorikisht. Pavarësia e plotë prej shtetit serb ishte kushti i parë dhe i fundit për çfarëdolloj marrëveshjeje. Dhe, me të drejtë.

Por, asokohe, ndoshta të lodhur nga shtypja e shtetit fashist të Millosheviqit, brenda spektrit politik shqiptar kishin filluar të krijohen çarje për rrugën që duhej të ndiqte lëvizja shqiptare për pavarësi.

Njëri nga këta zëra, që atëbotë propozonte një rrugë tjetër ishte edhe publicisti Veton Surroi. Pothuajse ndër të vetmit, ishte Surroi që propozonte dhe përpiqej të argumentonte se pse shqiptarët duhet të merrnin pjesë në Zgjedhjet Parlamentare të Serbisë, në dhjetor të vitit 1993, kur Sllobodan Millosheviqi ishte në kulmin e pushtetit të tij.

Qëndrimi i Surroit kishte ngjallur reagime të ashpra, dhe ky qëndrim i tij, edhe sot e kësaj dite përdoret si argument kundër tij, duke e akuzuar për jo-konsistencë dhe miopi politike.

Shkrimi i Surroit, ishte publikuar në gazetën beogradase Borba, më 29.10.1993, ndërsa Periskopi e sjellë të plotë në gjuhën shqipe.

“Vendimi në peshoren e argjendarit”

Shkruan: Veton Surroi

Sipas matematikës politike serbe – me rastin e shpërndarjes së Kuvendit të Serbisë bojkotimi i zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit nga ana e  partive politike shqiptare, me siguri është marrë si PUNË E KRYME. Ma merr mendja se në radhët e socialistëve, radikalëve dhe “grupit të qytetarëve Arkan” tanimë  ka filluar përzgjedhja e kandidatëve të cilët do të votohen për të qenë anëtarë  të parlamentit  të Serbisë me 0.1 % të votave të përgjithshme. Llogaritë  e tilla  tanimë kanë fituar mbështetje në formë te deklaratës e cila vjen nga ana Dr. Rugovës-personalitetit kryesor të shqiptarëve të Kosovës – I cili tha se shqiptarët  nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje, pasi që ata i kanë mbajtur zgjedhjet e tyre dhe përmes referendumit kanë shprehur vullnetin e tyre për pavarësi.

Nuk ka dyshim se shikuar nga këndvështrimi shqiptar, ekzistojnë një varg arsyesh për mospjesëmarrje në këto zgjedhje. Shqiptarët e kanë deklaruar, panumërt herë, në mënyrë të paqësore dhe vetëflijuese dëshirën e tyre për pavarësi. Gjithashtu, janë përpjekur që në kushtet e kontrollit të plotë policor mbi Kosovën, të formojnë institucionet e tyre shumëpartiake. Nuk kam dyshim se në rast se në këtë moment pyetet populli shqiptar i Kosovës, përgjigjja në lidhje me pavarësinë do të ishte një “PO” plebishitare. Madje, edhe pa këto paragjykime politiko-kushtetuese, Kosova, në gjendjen në  të cilën është momentalisht, plotësisht nën kontrollin ushtarako-policor – nuk ka as kushte më elementare për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike

Mirëpo, në qoftë se do të kërkoheshin argumente për një qasje tjetër fare ose të kërkoheshin me ngulm nga qarqet me ndikim, ndoshta edhe do të mund të gjendeshin*

Gjithsesi, të parët janë të natyrës pragmatike dhe matematikore. Deri në ditën e sotme, në parlamentin e Serbisë, përgjatë dy mandateve kanë qëndruar njerëz të cilët e kanë përfaqësuar Kosovën, njerëz, koeficienti intelektual i të cilëve ka qenë edhe më I ulët se koeficienti i votave të fituara nga trupi votues.

Arsyeja e dytë ose e tretë për pjesëmarrje në zgjedhje, do të mund të ishin pjesë e filozofisë politike të lëvizjes shqiptare për pavarësinë e  Kosovës. Rrjedhimisht, përcaktimi për demokraci dhe mospërdorim të dhunës, detyrojnë për përdorimin e të gjitha formave të luftës politike. Si pjesëmarrja por edhe mospjesëmarrja në zgjedhje, janë pjesë e këtyre metodave. Mirëpo, ekziston edhe një  arsye shtesë për dalje në zgjedhje: forcimi i demokracisë në Serbi. Sado që kjo  sot të duket e pamundur, forcat politike në Serbi, detyrimisht do të duhet të nisen drejt rrugës së demokracisë. Për Shqiptarët, si fqinjëve të Serbisë demokratike të së ardhmes, do të duhej të ishte në interes që tu ndihmojnë në këtë rrugëtim. E shikuar nga efektet pragmatike: madje edhe fëmijët shqiptarë e shohin se vendin nuk e kanë nen Serbi, këtë e pranon çdo analist pak më serioz ndërkombëtar, ndërsa janë  të pakta ministritë e jashtme të vendeve me  ndikim ku në biseda joformale përgënjeshtrohet ky fakt – mirëpo, këtë duhet ta dëgjojnë edhe serbët – për çdo ditë në kontaktet me partitë politike përmes transmetimeve të drejtpërdrejta të seancave të parlamentit.

Nuk do mend, se pyetja e parë te shqiptarët dhe serbët është: përse ekzistojnë argumente për dalje në këto zgjedhje e nuk ekzistonin në ato parapraket? Përgjigja nuk është ngritja e standardeve të lirisë në këto zgjedhje (përkundrazi, kushtet janë përkeqësuar) por në momentumin politik. Serbia është duke e kaluar pragun e purgatorit dhe tani duhet ta kërkon vetveten aty brenda. Ndërgjegjen e papastër politike serbe e torturon ankthi i vrasjeve dhe shkatërrimeve, krimit dhe mjerimit. Këtë ndërgjegje, padyshim e mundon edhe një gjë tjetër -Kosova. E këtu, si në çdo ndërgjegje, duhet të fshihet zëri I brendshëm. Seria e zgjedhjeve parlamentare prej vitit 90 e deri tani, e ka zënë Serbinë në pozicionin e vetëbesimit për krijimin e Serbisë së Madhe përmes fitoreve ushtarake. Tani kur fitoret ushtarake janë rrumbullakuar, po vjen koha, siç paskësh thënë njëherë një akademik i njohur serb, për rezultate të tjera në paqe, ose në përpjekje për paqe.

Mirëpo, a do të thotë dalja në zgjedhje e shqiptarëve, njohje të Republikës së Serbisë ose njohje të dominimit mbi Kosovën? Po, në qoftë se platforma politike e cila do të u ishte ofruar votuesve, do të deklarohej për një gjë të tillë. Në qoftë se, votuesve do tu ishte sqaruar se kjo është pjesë e luftës politike parlamentare për pavarësi, medoemos ashtu edhe do të kuptohej. Zaten, njohësit e historisë shqiptare, e dinë se një pjesë e udhëheqësve të lëvizjes politike për pavarësi prej Perandorisë Otomane, kanë qenë të ulur në parlamentin turk.

E di që ka shqiptarë që kundër këtyre argumenteve do të dalin me kundër-argumentin se sa më e izoluar dhe jodemokratike që është Serbia, aq më mirë është për shqiptarët dhe për Kosovën. Ky barazim matematikor funksionon mirë që të mos shtrëngohet njëri kufi i presionit ndërkombëtar mbi Serbinë. Mirëpo, ky kufi, në masë të konsiderueshme është arritur përmes sanksioneve ndërkombëtare, dhe kjo pra, bashkësia ndërkombëtare (çka do që nënkuptohet me këtë togfjalësh) qëndron mjaft komode pran pozitës se nuk duhet të ndermirën kurrfarë masash kundër Serbisë. Kufiri mund të kalohet, për aq sa është e mundur të shihet tani, vetëm përmes luftës në Kosovë, dhe vetëm në këtë rast do të mund të shihnim intervenim ushtarak kundër Serbisë dhe zgjidhje të imponuar për çështjen e Kosovës. Është çështje e përgjegjësisë elementare njerëzore (por edhe pragmatizmit politik) se a duhet të vihet bast për këtë letër? Ose basti duhet vënë në letrën se dikush në ndonjë konferencë ndërkombëtare do ta urdhërojë Serbinë që ta pranon pavarësinë e Kosovës?

Ka gjatë kohë që shqiptarët e Kosovës e kanë humbur iniciativën politike. Në vend të kreativitetit dhe ndërmarrësisë në veprimin politik, kanë arritur nivelin e kukamës dhe zgurdullimit drejt qiellit politik botëror. Sado që e kanë krijuar një strukturë alternative ekzistenciale në rrafshin social, pjesërisht në shkollim dhe shëndetësi, ata politikisht mbyten në fjalët e veta. Ka një kohë të gjate, që kjo është shndërruar në fjalim para pasqyrës. Mungon madje edhe ndjenja elementare e demonstrimit. Zgjedhjet, ndofta do të ishin ringjallje e etosit të rezistencës dhe demonstrim I fuqisë.

Shikuar nga qielli – çfarëdo që të jetë qëndrimi I shqiptarëve në zgjedhjet e dhjetorit në Serbi – do të jetë qëndrim i gabuar. Dalja në zgjedhje do të kishte ftohur edhe më tepër shpresën se pavarësia e Kosovës është aty diku, mbas derës së ndonjë konference ndërkombëtare. Do të kishin humbur shpresën (ndoshta edhe mundësinë e vetme) që pas asaj dere historike të ju ndezë fati. Mos dalja i lë aty ku janë – në pozicionin e vetëkënaqjes me bisedën vet me vete, përfshi edhe pajtimin konsenzual se kanë të drejtë.

Në anë tjetër, shikuar nga toka, do të duhej që çdo hap ta masin me peshoren e argjendarit./Perktheu: Periskopi

Shpërndaje në: