Kështu nisi beteja 18 vjeçare e Shyhrete Berishës

Kështu nisi beteja 18 vjeçare e Shyhrete Berishës

Shyhrete Berisha, ishte detyruar që të kërcej nga një kamion i ushtrisë serbe që po barte aro 50 viktimat e familjes Berisha nga Suhareka, si formë e vetme për të shpëtuar.

Nga krejt viktimat në kamion, vetëm Shyhrete Berisha kishte shpëtuar. Ajo kishte arritur që të mbes gjallë, të kalojë edhe sfida të tjera me rrezik vdekjeprurës deri në përfundim të luftës.

Por lufta, për Shyhrete Berishës nuk kishte përfunduar.

Ajo kishte humbur bashkëshortin dhe katër fëmijët të cilët ishin vrarë barbarisht nga forcat e ushtrisë serbe, e bashkë me të kishte kuptuar se ka humbur edhe shtëpinë.

Beteja e saj për të marrë të drejtën e saj pronësore ka përfunduar tek në qershorin e vitit 2017, por ajo kishte në vitin 2000.

Dokumentari i regjisorit Agim Sopi, “Përtej Vdekjes” në të cilën Shyhrete Berisha jep rrëfimin e saj të parë për tragjedinë e familjes së saj, dokumentohen shumë fakte që rrëfejnë betejën e saj.

Teksa mbi rrënojat ende të freskëta në vendin ku ka ndodhur masakra, Berisha rrëfen sesi mbijetoi, në dokumentar ajo tregon edhe faktin se ajo ka mbetur pa shtëpi.

Fillimisht probleme kishte pasur me OSBE-në. Ky mision ia kishte uzurpuar shtëpinë por më vonë në këtë shtëpi Shyhrete Berishën nuk do ta lejonte, kunati i saj, vëllai i bashkëshortit të saj, i cili tek të enjten u detyrua nga Gjykata që t’ia japë gjysmën e shtëpisë dhe gjysmën e dy pronave të tjera.

E rrëfimi i Shyhrete Berishës për këtë betejë në këtë dokumentar është jashtëzakonisht i ndjeshëm.

Ajo në një moment, teksa bashkëbisedon me zyrtarin e OSBE-së jep një deklaratë të fortë.

“E nëse doni merreni edhe një fëmijë 5 vjeçar, merreni dhe pyeteni kush ka jetu në këtë shtëpi, edhe kish dit me ju tregu, që këtu ka jetu Nexhati (bashkëshorti i saj v.j), Majlinda, Herolinda, Altini, Redoni dhe nëna e tyre Shyretja.  Ju tash doni me më qitë në rrugë, me më thanë që nuk është shtëpia juaj”, thotë Shyhretja.

Pasi zyrtari i OSBE-së i thotë se nuk ka fakte se shtëpia e saj është në pronësi të Berishës, ajo ka një përgjigje tjetër.

“Unë për atë jam kthye, nuk mundem ma me ndejt rrugëve.  A nëse ju thoni, atëherë unë do ta marrë një shator, do ta qes atje në qosh, në oborrin tim dhe aty do të rri, ta shoh shpinë e fëmijëve të mi. Tjetër rrugëdalje nuk kam. Nuk muj kërkund tjetër me ndejt, përveç në shpi teme”, thotë Shyhrete Berisha.

Zyrtari i OSBE-së i thotë se për këtë gjë ajo duhet ta zgjidhë me familjen e saj.

“Familjen time ma ka mbytë Millosheviqi. Vetëm kjo shtëpi më ka mbetë. Nuk e kam tjetër kënd prej familjes. Skam”, përgjigjet Berisha.

Më pas ajo thotë diçka që më vonë do të faktonte gjithë procesin gjyqësor për të marrë të drejtën pronësore, e cila Shyhrete Berishës i mohohej pikërisht për shkak se nuk ka trashëgimtar nga familja e bashkëshortit.

“Bile të më kish mbete ai fëmijë, nuk kishin mujtë kështu me më qitë në rrugë, nuk kish mujtë kërkush me më thanë se nuk asht shtëpia jote.”, i thotë ajo një gruaje tjetër.

“Boll kam pa, 50 vetë në sytë e mi i kanë vra. Krejt mi kanë mbytë nga një nga një. Nuk më lanë më hi brenda, me ja u  këqyrë as teshat që kanë mbete aty e as fotografitë.”

Më pas asaj i lejohet të hy në shtëpinë e saj. Aty i merr gjësendet e mbetura të fëmijës së saj.

“Fotografitë i morra prej shtëpisë, e më thanë se shtëpia nuk është e jotja. Mjer nana që nuk ki me shku në shkollë ma, mjera nana që je nda prej shokëve. Kaloj një vit që ende kufomat e fëmijëve të mi nuk janë gjete, thonë se janë në një varr masiv, por ende nuk di asgjë për fëmijët e mi”, thotë ajo.

Por bashkë me gjetjen e eshtrave të fëmijëve të saj, Shyhrete Berisha u detyrua që të vazhdojë betejen për rimarrjen e së drejtës së saj pronësore.

Ajo tashmë i ka fituar të gjitha betejat. /Insajderi.com

Shpërndaje në: