Këta janë kundërshtarët e Albin Kurtit në Vetëvendosje që duan t’ia marrin pushtetin

Këta janë kundërshtarët e Albin Kurtit në Vetëvendosje që duan t’ia marrin pushtetin

Emërimi i katër anëtarëve të Vetëvendosjes nga Qeveria Kurti në katër borde të ndërmarrjeve publike ishte tema më e rëndësishme e kësaj jave. Qytetarët menduan në varësi të pozicioneve politike që mbështesnin. Partitë kundërshtare politike zgjodhën që të sulmonin naivisht, në vend se ta përdornin veprimin e Vetëvendosjes për t’i mbrojtur e analizuar retroaktivisht veprimet e tyre të gabuara. Vetë Vetëvendosje ndërkohë, siç ndodh për çdo temë tjetër, ndërtoi peshoren e mëkatave qeverisëse, ku natyrshëm mëkatet e saj peshohin pakrahasimisht më pak se mëkatet e kundërshtarëve të saj politikë “që ishin 20 vjet në pushtet”.

Por, çka na tregon në të vërtetë emërimi i këtyre katër anëtarëve në ndërmarrje publike nga kjo parti që dikur e denonconte hapur partizimin e publikes?

E kam thënë në qindra shkrime tjera ku lavdëroja Albin Kurtin se për dallim nga oponentët politikë ai kishte lidhur aktivistët e tij me “vargojtë e ideve” dhe jo me interesa direkte personale. Ja që e kisha gabim (të paktën pjesërisht gabim).

Vetëvendosje edhe në të kaluarën ka bërë veprime të ngjashme të cilat i ka kritikuar ashpër dikur. Mbi katërqind aktivistë të saj janë punësuar me kontratë mbi vepër në Komunën e Prishtinës kur arritën që ta merrnin pushtetin. Në Prizren mbahen si drejtorë njerëz të akuzuar për veprime të paligjshme dhe ka akuza të tjera për keqpërdorime. Por më e rëndësishmja, Vetëvendosje pagoi aktivistët e saj me rroga goxha të larta, siç dëshmuan po vetë gjatë kohës sa po ndaheshin prej fraksionit që kaloi në PSD. Rroga më e vogël sipas atyre dëshmive ishte 450 euro në muaj, ndërsa të tjerë paguheshin me 600, 650 dhe 1 mijë euro në muaj respektivisht. Këto paga aktivistët i merrnin nga milionat që ndahen nga buxheti i shtetit për partitë parlamentare. Së  fundi, përveç këtyre emërimeve në borde kemi edhe emërimet e të afërmve dhe aktivistëve të tjerë nëpër pozita të tjera qeveritare.

Por, ne duhet t’i ikim peshores që e ndërton Vetëvendosje për të treguar se megjithatë veprimet abuzive të partive tjera në pushtet ishin më të shumta se sa veprimet e saj. E po ashtu, duhet t’i ikim edhe hipokrizisë naive të partive tjera, veçanërisht të partive të PAN-it, që qëllimshëm harrojnë të bëmat e tyre.

Në vend se të demonizojnë njëra-tjetrën, për të mirën e vendit, partitë politike duhet të ndryshojnë mënyrën e funksionimit duke shpalosur haptas problemet me të cilat përballen.

Këto parti duket qartë tashmë se krahas funksionit të tyre si parti politike e kanë të qendërzuar edhe funksionin si ndërmarrje financiare. Një funksion larg më i përforcuar se në vendet e tjera me sa duket nga një varg faktorësh specifikë për Kosovën. Një ndër këta faktorë është numri i vogël i banorëve në Kosovë, që pasohet pastaj përgjithësisht nga ekonomia e dobët, dhe konkretisht nga problemet e shumta me punësimin, nga fuqia e pakualifikuar punëtore, tregu fiksional (i trilluar) i punës, skema e rreme e prodhimit dhe sidomos struktura e dobët sociale.

Përmes pagave që iu ka dhënë aktivistëve të saj sa ishite në opozitë, Vetëvendosje në një formë i ka kontribuar këtij fiksionalizimi të tregut të punës. Aktivisti politik është bërë punë e paguar, e në një formë është bërë edhe profesion, ndër shumë e shumë punë të paguara, e ndër shumë e shumë profesione tjera, të cilave në ekonominë tonë nuk jua sheh hairin askush përveç vetë punëtorit dhe trilluesit të saj (shefit).

Pra, tashmë mund ta kuptojmë më qartë se asnjëherë tjetër se të gjitha partitë tona kanë borxhe për të shlyer. Dhe ky borxh për Vetëvendosjen, me hyrjen e saj në pushtet, natyrshëm u rrit në përmasa të jashtëzakonshme për shkak të hapjes së mundësive për të vjelur leverditë e shumta. Në vend të një page të thjeshtë për ‘punën’ e tij si aktivist, ky i fundit tashmë do të kërkojë pozita të rëndësishme publike prej partisë që do të përkthehen më vonë në sistemim brenda strukturës sociale. Pra, në të famshmen perspektivë.

Se në çfarë shkalle u profesionalizua aktivizmi i aktivistëve të Vetëvendosjes mund ta shohim përditë në rrjete sociale. Një aktivizëm që ka stepur të gjithë kundërshtarët dhe kritikët e partisë së tyre duke e instrumentalizuar masën dhe madje edhe një pjesë të madhe të mediave, shoqërisë civile dhe njerëzve me peshë në debatin publik.

Derisa partitë e PAN-it dhe LDK-ja po abuzonin me pushtet duke shlyer borxhet ndaj aktivistëve të tyre, Vetëvendosje po keqpërdorte opozitarizmin duke mos lejuar një qasje kritike ndaj problemeve shoqërore, përfshirë patronazhin politik, klientelizmin e nepotizmin, duke e vendosur në mënyrë vulgare shpjegimet reduktuese të feve abrahamike për to. Dhe prandaj, edhe shpjegimi i sotëm për veprimet e saj të sotme që i japin krahë kësaj forme të funksionimit, nuk bëhet ndryshe veçse përmes supremacisë morale. Përmes vendosjes së një peshoreje morale ku bëhet matja e ‘të këqijave’ të tyre nga ‘të këqijat’ enorme të të tjerëve.

PDK-ja nuk u rrëzua prej pushtetit për shkak se thjesht i humbi zgjedhjet. PDK-ja u rrëzua prej pushtetit për shkak se kishte akumuluar tepër shumë borxhe ndaj mbështetësve të saj, e të cilat nuk mund t’i paguante. Një pjesë e madhe e këtyre mbështetësve të pakënaqur sot janë në Vetëvendosje, me një lidhje direkte interesi me këtë parti politike. Dhe po të njëjtit mund ta rrëzojnë nga pushteti kur borxhi i partisë ndaj tyre të arrijë përmasa të jashtëzakonshme.

Vetëvendosje do t’i fitojë edhe zgjedhjet e ardhshme sepse borxhi i saj ndaj aktivistëve vazhdon të jetë tepër i vogël. Por, Kurti nuk do t’i fitojë më zgjedhjet sepse edhe pse në krye, pushteti i tij është marrë nga aktivistët e tij. Ai është bërë konformist që ndërron qëndrime vazhdimisht, e për gjithçka. Dhe do të vazhdojë që t’i ndërrojë ato derisa të kryejë detyrimet financiare ndaj mbështetësve të tij. E a kryhen këto detyrime ndonjëherë? S’e besoj.

Para disa muajsh, Kurti e kishte shkelur statutin e Vetëvendosjes që i ndalonte atij të mbante pozitën e kryetarit të partisë derisa ishte edhe kryeministër. Kjo u interpretua thjesht si “shkelja e qëndrimit të radhës”. Në fakt, ajo që shprehet qartë nga ky veprim i tij, është pikërisht mos-besimi i thellë (e ndoshta edhe frika) i Kurtit ndaj njerëzve më të afërt të tij.

Partitë politike në Kosovë duhet ta margjinalizojnë funksionin e tyre si ndërmarrje financiare duke u distancuar prej aktivistëve e mbështetësve të tyre. Nuk ka rrugë tjetër nëse duam që përfundimisht ta sfidojmë përmbajtësisht klientelizmin e nepotizmin.

 

Shpërndaje në: