Këto janë rrugët ligjore për partitë pas vendimit të KQZ’së për mos-certifikim të listave

Këto janë rrugët ligjore për partitë pas vendimit të KQZ’së për mos-certifikim të listave

Mos-certifikimi i listave të subjekteve politike Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), si dhe mos-certifikimi i partisë politike Nisma, do ua mundësojë të gjitha grupacioneve politike të apostrofuara të ndjekin rrugët ligjore për ankesa.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka sqaruar procedurat ligjore që mund të ndjekin partitë politike të dëmtuara nga vendimi i ndërmarrë në mbledhjen e Këshillit Qendror Zgjedhor (KQZ) të premten.

“Çdo parti politike brenda 24 orëve paraqet ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me certifikimin e listës së paraqitur. PZAP në pajtim me ligjin për zgjedhjet dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese mund të marr vendim për certifikimin e tërë listës së partive politike sipas propozimit të tyre apo vetëm certifikimin e kandidatëve pa probleme me ligjin, duke larguar ata që bien në kundërshtim me nenin 29 të ligjit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Miftaraj për Express.

Pas mos-përfilljes së kërkesës së kryetares së KQZ’së, Valdete Dakaj, Vetëvendosjes nuk iu është çertifikuar lista e kandidatëve për deputetë. Për votimin e certifikimit të listës së VV’së kanë qenë vetëm pesë anëtarë të KQZ’së.

Valdete Daka para votimit ka theksuar se nuk është e drejtë që të mos certifikohen kandidatët që s’kanë probleme me ligjin.

Për të njëjtën arsye, nuk është certifikuar fare si subjekt politik Nisma Socialdemokrate në zgjedhjet e 14 shkurtit. Pas hedhjes në votim të certifikimit të subjektit politik, Nismës nuk i mjaftuan gjashtë vota nga anëtarët e KQZ’së për certifikim.

Edhe lista e kandidatëve të deputetë të AAK’së, për shkak të problemeve me ligjin, nuk ka marrë “dritën e gjelbër” nga KQZ’ja për zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka bërë të ditur se ky subjekt politik do t’i ndërmarrë të gjitha rrugët ligjore pas mos certifikimit të listës së kandidatëve për deputet nga KQZ-ja.

“LVV-ja do t’i përdorë të gjitha rrugët ligjore, do të veprojmë sipas rrugës së Kushtetutës që është në dispozicion. KQZ-ja nuk ka kërkuar nga ne të bëjmë ndërrime të emrave të kandidatëve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) nuk merr vendime vetëm i ofron KQZ-së informata si të veprohet për personat që kanë çfarëdo dënimi të plotfuqishëm nga një gjykatë në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Për shkak të këtyre vendimeve, në këto dy ditët e fundit, kryetarja e KQZ’së është “kryqëzuar” për anshmëri të vendimeve nga akterë të lartë të Vetëvendosjes.

Shpërndaje në: