Këto janë veprat për të cilat akuzohet Gucati

Këto janë veprat për të cilat akuzohet Gucati

Kryetari i OVL e UÇK’së, Hysni Gucati, është paraqitur sot për herë të parë para trupit gjykues në Hagë. Hysni Gucati po akuzohet për vepra penale si, frikësim gjatë procedimit penal, hakmarrje dhe të fshehje të procedurës.

Në fletëarrestin e lëshuar nga Gjykata Speciale e Hagës, veçohen tri konferencat e shtypit të OVL të UÇK-së, të 7, 16 dhe 22 shtatorit.

Hysni Gucati dyshohet se nuk kishte ndërhyrë teksa nënkryetari i OVL të UÇK-së po përmendte me emra dëshmitarë të caktuar, potencialë.

“Ka dyshime të bazuara se Gucati kishte mbajtur tri konferenca shtypi, më 7, 16 dhe 22 shtator të 2020, duke shpërndarë apo vënë në dispozicion për mediat informata konfidenciale dhe jokonfidenciale, ashtu si edhe dokumente të lidhura me Zyren e Prokurorit të Specializuar, duke mos ndërhyrë kur Nasim Haradinaj përmendi me emër dëshmitarët e caktuar (potencialë), duke dhënë informata rreth vendbanimit të tyre, ashtu si edhe detaje tjera personale”, shkruhet ndër të tjerash në aktakuzën e Dhomave të Specializuara të Hagës.

Njëkohësisht në këto konferenca shtypi, këta individë i janë ekspozuar rrezikut potencial për sigurinë e tyre, shkruhet në pikën e dytë të fletarrestit ndaj tij.

“Ky veprim përbën akt të dëmshëm me qëllim të hakmarrjes për ofrimin e informatave të vërteta për Task Forcën Speciale Hetuese dhe/ose Zyren e Prokurorit të Specializuar lidhur me kryerjen e pretenduar të shkeljeve penale”, thuhet në fletarrestin për Gucatin.

Sipas këtij fletarresti, ekzistojnë arsye për të besuar se arrestimi i Gucatit është i domosdoshëm, para se gjithash shkaku se ai është në dijeni rreth shkeljeve të pretenduara që përmban fletëarresti i tij, shkruhet midis tjerash në këtë pikë.

Shpërndaje në: