Khabib dhe Sedorf bëhen bashkë dhe formojnë shkollën e futbollit me stërvitje të arteve marciale

Khabib dhe Sedorf bëhen bashkë dhe formojnë shkollën e futbollit me stërvitje të arteve marciale

“K Sports Holding”, e themeluar nga dy ikona të sportit, Clarence Seedorf dhe Khabib Nurmagomedov, lancoi një akademi të re të futbollit, të quajtur “Seedorf Khabib Performance Club”, një shkollë futbolli me një metodologji stërvitjeje unike që do të kombinojë futbollin me artet e miksuara marciale (MMA).

Një strukturë ku sipas dy atletëve do t’u mundësojë të rinjve nga e gjithë bota që të zhvillojnë aftësitë e tyre sportive dhe sociale, me kompaninë që synon të hapë në 5 vitet e ardhshme 10 shkolla futbolli të shpërndara në vende të ndryshme të planetit.

Khabib dhe Seedorf u takuan në vitin 2020 dhe gjetën menjëherë mirëkuptimin, pasi ndanin të njëjtën dëshirë për t’i kthyer pas shoqërisë diçka nga ajo që ata përfituan nga sporti, duke lënë një impakt në jetën e të rinjve. Të dy janë besnikë dhe promovojnë një stil jete të shëndetshëm, diçka që duan ta transmetojnë me pasion edhe te brezat e ardhshëm.

Në konferencën e rastit, ish-futbollisti i Milanit deklaroi:
“Futbolli më ka dhënë shumë në jetë dhe unë tani dua t’i kthej diçka komunitetit, jam shumë i lumtur të punoj me Khabibin, dhe të ndikoj pozitivisht te brezi i ardhshëm me dijen që kam fituar përgjatë viteve”.

Ndërkohë që ish-kampioni absolut i UFC, Nurmagimedov u shpreh:
“Kam qenë gjithmonë një tifoz i madh i futbollit dhe e kam admiruar Clarence jo vetëm si lojtar, por edhe si njeri. “Seedorf Khabib Performance Club” do të ketë një impakt shumë pozitiv dhe do të përmirësojë aftësitë futbollistike dhe atletike të të rinjve, por mbi të gjitha do të kontribuojë për të formuar njerëz të mirë, që është dhe gjëja më e rëndësishme”.

Shpërndaje në: