Kjo është gjendja e nxënësit të plagosur në Spitalin e Pejës

Periskopi.com Lajme

Një nxënës që mbeti i plagosur nga të shtënat në drejtim të një autobusi në Deçan më 26 nëntor, është në gjendje stabile. Nga të shtënat me armë zjarri, në këtë ngjarje mbetën të vdekur shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Naim Sahiti, zëdhënës i Spitalit të Pejës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se i plagosuri është operuar dhe tani është jashtë rrezikut për jetë.

“I është hequr plumbi gjatë orëve të mbrëmjes (më 26 nëntor). Tash është gjatë procesit të trajtimit pas-operativ, por gjendja e tij është shumë e mirë”, tha Sahiti.

Sipas Sahitit, i plagosuri kishte një plumb në kofshën e majtë si dhe një plumb që ka depërtuar tejpërtej.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ende nuk ka arrestuar ndonjë të dyshuar për vrasjen e trefishtë në fshatin Gllogjan të Komunës së Deçanit.

Autobusi që u sulmua po bartte nxënës në relacionin Gjakovë-Deçan.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës, Veton Elshani ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ende nuk ka arrestime lidhur me këto vrasje.

Sipas Policisë, vrasjet dyshohen se u kryen me armë zjarri të llojit AK-47.

Mbrëmjen e 26 nëntorit, kryeprokurori Blerim Isufaj ka thënë para mediave se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, porse ende nuk ka ndonjë të dyshuar.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë thirrje që kushdo që ka informata për ngjarjen, të bashkëpunojë me autoritetet, në mënyrë që kryesi i veprës të dalë sa më shpejt para drejtësisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e kanë cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i kanë ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se ka ndërprerë vizitën në Shqipëri për shkak të ngjarjes dhe se ka kërkuar nga Policia e Kosovës “angazhim dhe mobilizim maksimal”, në mënyrë që autori i këtij “akti makabër” të arrestohet sa më parë.

Ngjarjen e kanë dënuar edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe partive politike në Kosovë.